Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Azemi: S’ndalet greva pa u paguar borxhet ndaj punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë

Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët teknikë të sektorit privat në shkollat e Komunës së Prishtinës po hyjnë në ditën e dytë të grevës, për shkak të mospagimit të një pjese të pagës së muajit korrik dhe pagës së muajit gusht.

Azemi në një konferencë për media tha se ka zhvilluar takim me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Arjanit Elshanin, dhe zyrtarin e Komunës së Prishtinës, Arben Gashin, por sipas tij, takimi nuk ka sjellë zgjidhje për problemin e pagave.

“Sot është dita e dytë e punëtorëve teknikë të sektorit privat të komunës së Prishtinës, përkatësisht të cilët janë në grevë. Ne sot patëm një takim me Arjanit Elshanin, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, dhe Arben Gashin, zyrtar i Komunës së Prishtinës. Këta punëtorë kanë hyrë në grevë për shkak të mospagesës të një pjese të pagës për muajin korrik dhe pagën e muajit gusht. E që nënkupton që këta punëtorë në këto momente janë që 45 ditë pa pagat e tyre”, ka thënë ai.

Kreu i sindikatës tha se nga takimi me zyrtarët komunalë kishte pritshmëri dhe se sindikata kishte ofruar një opsion për pagesën e ditëve të punës për muajin korrik, por se kjo marrëveshje është tërhequr.

“Ne kemi pritur më shumë nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe njëkohësisht e kemi pritur, ndoshta me një shpresë, se do të dalim nga kjo bllokadë. Por ne kemi ofruar një opsion lidhur me pagën për muajin korrik por nuk kemi mundur të përcaktojmë të gjitha çështjet edhe për çështjen e pagave. Andaj ne tërhiqemi nga marrëveshja që e kemi pasur dje sa i përket pagave të punës dhe ditëve për korrikun”, ka thënë ai, raportoi EO.

Azemi kritikoi Komunën e Prishtinës, duke thënë se sindikata kishte paralajmëruar për më shumë se një muaj se mund të vinte deri te greva, por sipas tij, zyrtarët komunalë nuk e kishin trajtuar me kohë këtë problem.

“E gjithë kjo po ndodh në mungesë të mjeteve, po ndodh në mungesë të realitetit. Kjo po ndodh për shkak se zyrtarët e Komunës së Prishtinës, përkundrazi asaj që ne më shumë se një muaj i kemi paralajmëruar se mund të vijë deri te kjo bllokadë, ata nuk e kanë parë të arsyeshme që të merren me këtë problematikë. Sot shumë zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se nuk e dinë që janë punëtorët në grevë. Dhe është shumë e rëndë që pagat tona, përveç se janë 45 ditë vonesë, njerëzit zyrtarë — të cilët u duhej të kryenin punën e pagave të këtyre punëtorëve — nuk qenkan të njoftuar fare me grevën”.

Ai bëri të ditur se nga Komuna e Prishtinës është ofruar pagesa prej 391 eurosh neto, përkatësisht 425 euro bruto për muajin gusht, por sindikata nuk e ka pranuar këtë ofertë pa u përmbushur të gjitha obligimet ndaj punëtorëve.

Azemi theksoi se punëtorët nuk do ta ndalin grevën derisa të gjitha obligimet financiare të Komunës së Prishtinës ndaj tyre të përmbushen.

“Ne nga greva mund të dalim vetëm kur të gjitha obligimet që ka Komuna e Prishtinës karshi këtyre punëtorëve të përmbushen. Përndryshe, po themi se që nga dita e djeshme kemi shkuar një hap prapa, sepse ofertën që e kemi ofruar ne për 10-ditëshin e muajit korrik, tani më këtë e kemi tërhequr dhe ne nuk kemi asnjë arsye që të fillojmë me punuar. Na vjen keq nga qytetarët, na vjen keq sidomos nga nxënësit që për herë të parë po fillojnë mësimin në këto shkolla, por më keq na vjen që kemi njerëz të cilët janë të papërgjegjshëm dhe njerëz të cilët nuk e kanë menduar fare që këta punëtorë janë që 45 ditë pa pagat e tyre”, ka shtuar ai.

Azemi tha se pas takimit me drejtorin e Arsimit nuk sheh arsye që oferta e Komunës të dërgohet për shqyrtim te punëtorët, duke insistuar se bisedimet mund të rifillojnë vetëm pasi paratë të jenë në llogaritë bankare të punëtorëve.

Ai tutje ka thënë se sindikata i kishte paralajmëruar institucionet komunale për grevën dhe se, sipas tij, punëtorët kanë mbështetje ligjore për veprimin e tyre.