LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët ankohen se kriza në transportin urban rrjedh nga privatizimi dhe lirimi i shumë kategorive nga pagesa

Për të tretën ditë më radhë ka vazhduar protesta e transportuesve urbanë, shkaku i borxheve ndaj tyre që nuk i ka shlyer Komuna e Prishtinës. Pjesëmarrës në protestë thanë se kriza është shkaktuar pas privatizimit që është bërë me një pjesë të shërbimit dhe pas lirimit të shumë kategorive nga pagesa e transportit publik

Me më pak autobusë të parkuar në rrugë të kryeqytetit, transportuesit urbanë protestuan edhe këtë të mërkurë dhe vazhduan ta mbajnë të pezulluar shërbimin.

Protesta ka hyrë në ditën e tretë, pasi Komuna e Prishtinës nuk ua ka shlyer obligimet financiare për shkak të mosmiratimit me kohë të buxhetit.

Sabit Gashi është një nga punëtorët dhe tha se kriza është shkaktuar nga Komuna nëpërmjet privatizimit të një pjese të transportit urban.

“Kur ia ka nisur privatizimi nga Komuna, me i shti me kilometrazh, si Trafikun Urban edhe kompanitë private, u dashtë me ditë a ka buxhet shteti, Komuna, jo vetëm me i shpallë me dalë me punu me kilometrazhë. Domethënë, kanë rënë edhe Trafiku Urban, edhe kompanitë private. Derivatet e naftës i kanë marrë në të zezë pa pagesë deri tash, e tash janë me miliona euro nëpër derivate te kompania private dhe Trafiku Urban. Komuna s’ka reagu kurrgjë, se po thotë m’ka borxh Qeveria”, është ankuar Gashi.

Kriza financiare i ka lënë punëtorët pa paga. Një nga ta tha se do ta rinisë punën vetëm pasi të ekzekutohen paratë për punën që bën dhe u bëri thirrje Komunës dhe Qeverisë të gjejnë zgjidhje.

“Më vjen keq shumë prej qytetarëve deri në pikën e fundit që po vuajnë pa fajin e tyre, me mbet pa transport, edhe punëtorët kanë arsye, se që gjashtë muaj nuk kanë marrë rroga, kanë hyrë në obligime në derivate të naftës. Kështu është e arsyeshme kjo protestë. Si të zgjidhet çështja e pagave, ne jemi të kënaqur edhe e fillojmë punën”, ka thënë Izet Smajli, një tjetër punëtor.

Ndërkaq Sokol Zeqiri punëtor, që po ashtu mori pjesë në protestë, tha se kriza është shkaktuar pasi në prag të fushatës zgjedhore Komuna e Prishtinës liroi shumë kategori nga pagesa e transportit publik.

“Me autobus sillen tërë ditën, sepse i ka bërë shumicën pa pagesë me Kuletën Digjitale, me nxënës, me të moshuar, me të gjithë. Domethënë, nuk ka pasur realizim dhe jemi detyruar të ndërpresim punën”, ka thënë ai.

E gjatë ditës kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me pasojat që ka prodhuar kriza me buxhetin e Prishtinës.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media të martën ka fajësuar qeverinë në detyrë për, siç ka thënë, mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën.

Rama ka shtuar se janë marrë edhe masa të tjera, si thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të enjten, ku asamblistët, sipas tij, do të votojnë edhe për bartjen që ka qenë e bllokuar.

Më 27 nëntor, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetjake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026. E ka bërë këtë, pak kohë pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se alokimi i buxhetit ka mbetur peng edhe i një vendimi nga Kuvendi Komunal.

Përfaqësuesi i punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka thënë se shpresën e kanë te mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës që është thirrur për të enjten.

Ai nga objekti i Komunës së Prishtinës, ku janë mbledhur transportuesit, ka thënë që përmes protestës kërkojnë pagën e tyre, që është e drejtë elementare.

“Këto kushte në të cilat po ndodhemi, jo me dëshirën tonë, po me imponimet për borxhet që na kanë ndërprerë karburantin. Nëse nuk ka zgjidhje nesër, greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve ndaj operatorëve. Në po shpresojmë që nesër do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotërojë arsyeja”, ka thënë ai.

Gashi tha se Ministria i ka alokuar 3.2 milionë euro te Komuna, e nga to Komuna ia ka ndarë “Trafikut Urban” vetëm 600 mijë euro.

“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milion euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë”, ka thënë Gashi.

Gashi tha se ministri Murati është zotuar ta kryejë pjesën e tij për gjithë buxhetin, nëse Komuna kryen detyrat.

Sipas Sindikatës së “Trafikut Urban”, tash e dy muaj punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë paga, ndërsa borxhi ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.

Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.