Arbëri

Koci: VV-ja neutrale për Osmanin presidente

Melazim Koci

Politologu Melazim Koci ka deklaruar se deri në këtë fazë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë sinjal të qartë mbështetjeje për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, duke u pozicionuar, sipas tij, në një “zonë gri”.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Koci ka thënë se ndonëse në një pjesë të opinionit publik dhe te simpatizantët e Vetëvendosjes është supozuar se Osmani do të ishte favoritja për postin e presidentes, deri më tani nuk ka pasur deklarime të qarta nga zyrtarët e kësaj partie.

“Një fazë e krizës është tejkaluar. Nuk ka më rrezik nga mbetja pa buxhetin nga bllokada financiare. Tani kemi fazën e dytë – zgjedhjen e presidentit/es – nuk jam shumë optimist për faktin që nuk ka ende në horizont as elemente të një konsensusi, deri më tani as që e kanë biseduar. E dyta – është supozuar te një pjesë, sidomos te simpatizantët e Vetëvendosjes, se favoritja do të duhej të ishte znj.Osmani, por deri në këto momente, asnjë zyrtar i VV-së, përfshirë edhe z.Kurti, asnjë sinjal që e mbështesin znj,Osmani. Nuk e kundërshtojnë. Gjenden në zonën gri, në pozicion neutral”, ka thënë Koci. 

Sipas tij, mungesa e sinjaleve të qarta vlen edhe për opozitën, nga ku nuk sheh gatishmëri për ta mbështetur Osmanin për këtë post.

Koci ka komentuar edhe veprimin e fundit të LDK-së, e cila nuk mori pjesë në votim të Rezolutës për Specialen, duke e cilësuar si të gabuar në këtë moment. 

“Mendoj se nuk ishte e qëlluar nga LDK-ja në këtë moment, askush nuk e përjashton atë që ata kërkuar, por mendoj se momenti nuk ishte në kontekstin e zhvillimeve. Atë çka e kërkuan ata mbetet, nuk ua mohon askush atë kërkesë nëse nuk futet në rezolutë. Nuk ishte e qëlluar, unë mendoj se gabuan sepse në këtë moment, nuk m’u duk e qëlluar, pa e përjashtuar se mund të kenë të drejtë në përmbajtjen e kërkesës, por në këtë moment dhe në atë rezolutë nuk m’u duk e qëlluar”, është shprehur ai.