Arbëri

Koci thotë se Kurti do ta pranonte një qeveri kalimtare

Melazim Koci

Melazim Koci, ish-kryeredaktor i Radios Evropa e Lirë, ka deklaruar se sipas bindjes së tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti do ta pranonte variantin e një qeverie kalimtare, si zgjidhje për të shmangur bllokimin institucional deri në zgjedhjet e reja.

Në një intervistë në “Interaktiv”, Koci ka thënë se aktualisht nuk ka as përpjekje për krijimin e numrave të nevojshëm për formimin e qeverisë së re, ndërsa entuziazmi politik mungon plotësisht para seancës të së dielës.

“Kësaj radhe as nuk ka përpjekje për t’i bërë numrat. Nuk ka as entuziazëm. Gjasat janë minimale që të formohet qeveria. Që do të ketë zgjedhje, nuk ka fare dilemë. Dilema qëndron në faktin kur është termini më i favorshëm për Kosovën që ato zgjedhje të mbahen”, ka deklaruar Koci.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve menjëherë, para ose pas Vitit të Ri, nuk do të sillte ndryshim të madh në situatën politike. Ai propozon që të krijohet një qeveri e pakicës ose kalimtare deri në muajin mars, e cila do të kishte mandat të kufizuar për të përmbyllur disa çështje të rëndësishme.

“Të bëhet qeveria e pakicës ose kalimtare deri në mars. T’i kryejnë 3-4 punë të rëndësishme – ta miratojë buxhetin, t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe pastaj të shkohet në zgjedhje në mars ose prill. Aty do të kemi situatë të re, më lehtë të menaxhueshme në kuptimin e bërjes së numrave për formimin e qeverisë, sepse në lojë futet edhe pozita e presidentit”, ka deklaruar Koci.

Ai shtoi se sipas bindjes së tij, Kurti do ta pranonte këtë variant, pasi vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme dhe rrezikon të përballet me paralizë institucionale.

“Rreziku më i madh është që shteti mund të bllokohet. Pa miratim buxheti, pa fondet e Planit të Rritjes. Kryesorja është të mos lejohet bllokimi i Kosovës, të bëhen ato punë dhe të përgatiten zgjedhjet. Do të ishte varianti më i mirë”, shtoi ai.

Në fund, Koci parashikoi se përqindja e votave në zgjedhjet e reja do të jetë pothuajse e njëjtë si në zgjedhjet e fundit, por megjithatë “do të krijohet një situatë e re politike, më e menaxhueshme për ndërtimin e institucioneve të ardhshme.”

Seanca për formimin e qeverisë së re është thirrur për të dielën nga ora 10:00.

Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kanë mbetur edhe dy ditë kohë ligjore për ta prezantuar kabinetin e ri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ende është e paqartë nëse Kurti i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.

Nëse LVV-ja nuk arrin t’i bëjë 61 vota, presidentja ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.