Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Koci: Shteti të angazhohet më shumë në mbrojtjen e shtetasve të Kosovës të arrestuar në Serbi

Arianit Koci

Avokati Arianit Koci ka kërkuar nga institucionet të angazhohen më shumë lidhur me mbrojtjen e shtetasve të Kosovës të arrestuar  nga Serbia.

Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se saherë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova për krimet serbe në Kosovë, Serbia reagon me arrestime.

“Pasi i kam përcjellë këto raste ndër vite dhe kam marrë pjesë në mbrojtjen e shumë personave të arrestuar, më është krijuar një përshtypje: sa herë në Kosovë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova të reja për krimet e forcave serbe, Serbia reagon edhe me arrestime të shtetasve tanë. Përmes këtyre rasteve tentohet me u kriju narrativa se krime kanë kryer të dy palët. Prandaj, shteti duhet me u marrë shumë më seriozisht me mbrojtjen e qytetarëve tanë në Serbi. Deri tash nuk kam kërkuar asgjë nga shteti. Por situata ka ndryshuar”, ka shkruar ai.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë filluar të ushtrojnë presion ndaj tij dhe t’i pengojnë në punën që bën.

Ka deklaruar se është ndaluar tri herë derisa ishte duke udhëtuar me veturë diplomatike në praninë e shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd.

“Po iu pengon angazhimi im. Nuk frikësohem. Por në këto rrethana ky angazhim duhet me u koordinu me shtetin. Si avokat nga Kosova nuk mundem me ushtru profesionin në Serbi. Por mundem me e koordinu mbrojtjen, me i këshillu avokatët atje dhe me ndihmu me prova e argumente. E njoh kontekstin dhe rrethanat e luftës shumë mirë. Në shumë raste ku kam qenë i kyçur, të arrestuarit janë liruar”, ka shtuar ai.

Edhe Osmani bën “fushatë” në rrjete, shoqëria civile e quan presion mbi partitë Arbëri Osmani bën “fushatë” në rrjete, shoqëria civile e quan presion mbi partitë

Koci ka deklaruar se përkundër që u ka ofruar ndihmë institucioneve, ai është neglizhuar.

“Prandaj tash, kur arrestimet janë shtuar dhe autoritetet serbe kanë filluar me më pengu në punën time, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i kam ofruar, shërbime falas, dhe propozime konkrete për mbrojtjen juridike. Në vend të koordinimit, kam hasur në neglizhencë, mungesë interesimi dhe bartje të përgjegjësisë. Madje, propozimet janë refuzuar në mënyrë joformale, si pa bazë juridike, nga persona që nuk janë fare juristë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, del publikisht me pretendime ndaj të arrestuarve para se të vendosë gjykata”, ka shkruar ai.

Koci në postimin e tij ka përmendur edhe shkeljen e të drejtave të të arrestuarve nga Serbia.