Avokati Arianit Koci ka deklaruar se të shtetasit e Kosovës të arrestuar nën akuzat për krime lufte në Serbi, duhet të ndihmohen nga shteti me anë të fondit, njësoj sikurse të arrestuarit në Hagë.
Ai ka vlerësuar se shteti duhet të kujdeset për secilin qytetar të Kosovës dhe se shumat në Serbi janë shumë më të vogla sesa ato në Hagë.
Sipas Kocit, kjo do t’ua lehtësonte edhe familjarëve të tyre barrën materiale.
“Çdo familje që përballet me këtë lloj problemi, materialisht thuaja që shkatërrohen. Këta janë qytetarë të Kosovës nuk e shoh asnjë arsye që këto familje të personave të arrestuar në Serbi të mos paguhen prej fondit të njëjtë sepse shumat janë shumë më të vogla në Serbi sesa ato që paguhen në Hagë. Janë qytetarë tanë dhe ne duhet të kujdesemi për secilin qytetar të Kosovës. Me shumë pak punë mund të ndajmë dhe një buxhet për të arrestuarit në Serbi dhe besoj që shumë do t’ua lehtësonte familjeve të tyre”, ka thënë Koci në një lidhje direkte nga Beogradi për “Interaktiv” të KTV-së.
Koci më tej ka shtuar se udhëheqësit e shtetit duhet të ofrojnë mbrojtje maksimale e jo të mjaftohen vetëm me thirrje për shmangien e udhëtimit nëpër Serbi.
Ai më tej është shprehur i rezervuar sa i përket dhënies së informatave se për cilat raste ndodhet në Beograd, teksa ka shtuar se është optimist që në ditët në vijim të lirohet njëri prej të arrestuarve mbi këto akuza.