Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova i kërkon BE-së presion që Serbia të zbatojë Deklaratën për të Zhdukurit

Zubin-Potok

Pamje nga gërmimi në Zubin-Potok për mbetje njerëzore

Pasi brenda një jave u zbuluan dy varreza masive në Zubin-Potok, ndërsa dyshime për të tretën u publikuan të martën, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar nga BE-ja presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ata kanë kërkuar që shteti serb të sigurojë qasje të pakufizuar në arkivat e ushtrisë

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Nëpërmjet deklaratës, më 2023, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin dakorduar në dialog për të zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. 

E në një postim në platformën X, Bajrami ka thënë se ka kërkuar që Serbia të ofrojë qasje të pakufizuar në arkiva.

“Ia kam përcjellë zyrtarisht emisarit të posaçëm për dialog, Peter Sorensen, shqetësimet tona të thella mbi zhvillimet e fundit në lidhje me personat e zhdukur nga lufta 1998-1999. I kam kërkuar BE-së që të sigurojë që Serbia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen e pakufizuar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që paraqiten me informacion. Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”, ka shkruar Bajrami të martën.

Në Deklaratën për Personat e Zhdukur, parashihet që të jepet qasja e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve. 

E kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka thënë se Serbia i ka fshehur varrezat masive sipas një plani të organizuar.

Edhe Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit LAJMET E MBRËMJES Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit

“I ka fshehur edhe në oborret e kishave, i ka fshehur varrezat masive në Serbi edhe brenda kazermat ushtarake, pranë varrezave të serbëve. Do të thotë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, po ku kam vizituar unë në Kroaci edhe në Bosnjë ka qenë kështu. Do të thotë me plan. Çdo gjë e ka bërë me plan. Çdo gjë ka qenë, jo që ka qenë shteti në dije, po ka qenë edhe Kisha Ortodokse në dije. Se kreatori i gjithë këtyre të këqijave është vetë Kisha Ortodokse”, ka deklaruar Grajqevci.

Kërkesa që Serbia t’i hapë arkivat, me qëllim zbardhjen e fatit të rreth 1600 të pagjeturve, është riaktualizuar pasi brenda një jave janë zbuluar dy varreza masive në Zubin-Potok, ndërsa dyshime për të tretën janë publikuar të martën.