Arbëri

Koci ngre dyshime për keqtrajtim të Lozhanit në Serbi, kërkon monitorim ndërkombëtar

Arianit Koci

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ndodhet në Beograd, në cilësinë e mbrojtësit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i cili është arrestuar nga policia serbe nën pretendimet për krime lufte.

Koci ka bërë të ditur se janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe ushtrim presioni ndaj Lozhanit brenda paraburgimit. 

Ai ka theksuar se këto pretendime duhet të verifikohen urgjentisht përmes një ekzaminimi mjekësor të pavarur dhe dokumentimit zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm.

Po ashtu, Koci ka kërkuar sqarime lidhur me mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, si dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë fizike dhe psikologjike të të arrestuarit, përfshirë edhe veçimin e tij nga të burgosurit e tjerë nëse ekziston rrezik për sigurinë.

“Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij. Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues. Prandaj, kërkoj transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar”, ka shkruar Koci në Facebook.

Ai ka kërkuar transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar të rastit, duke theksuar se Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se kjo duhet të respektohet në çdo fazë të procedurës.

Koci gjithashtu u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë, duke e cilësuar sigurinë e shtetasve të Kosovës jashtë vendit si detyrim kushtetues. 

“Asnjë qytetar i Kosovës nuk guxon të lihet i pambrojtur”, ka theksuar ai.

Koci më tej ka bërë thirrje për shtetasit e Kosovës, posaçërisht ata që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të strukturave të sigurisë, që ta shmangin kalimin transitin nëpër Serbi derisa të ketë siguri juridike dhe fizike.