Amvisëritë kryesojnë për nga vlera e borxhit. Kompania më e prekur nga borxhet është ajo e Prishtinës “Pastrimi”, ndaj së cilës detyrimet e papaguara janë rreth 20 milionë euro. Por, edhe vetë kompanitë kanë detyrime të pashlyera ndaj deponive. Nëpërmjet përmbarimit të dy sektorët synojnë t’i arkëtojnë borxhet, por në Shoqatën për Pastërti dhe Ambient thonë se pritjet nuk duhet të jenë të mëdha për borxhet e moçme
Rreth 50 milionë euro është borxhi publik që qytetarë, biznese e institucione ua kanë gjashtë kompanive rajonale për menaxhimin e mbeturinave, tregojnë të dhënat që këto kompani ia kanë prezantuar KOHËS.
Me borxhe të pashlyera nga klientët prin kompania “Pastrimi” me rreth 20 milionë euro.
“Borxhi i klientëve ndaj kompanisë sonë është: klientët e amvisërisë afro 12 milionë euro, klientët e bizneseve afro 4 milionë e gjysmë dhe klientët e institucioneve dhe bizneset e mëdha afro 3 milionë euro”, ka thënë zëdhënësja e KRM “Pastrimi”, Arbnore Ademi.
Edhe kompanitë e tjera rajonale kanë prezantuar të dhënat mbi borxhet. Detyrimet ndaj asaj të Prizrenit janë rreth 10 milionë, të Pejës rreth 7 milionë, të Ferizajt mbi 6 milionë, të Gjakovës rreth 2.8 milionë e të Gjilanit rreth 2 milionë.
Sipas përfaqësuesve të këtyre kompanive që menaxhojnë mbeturinat borxhi më i madh është krijuar nga amvisëritë.
Arsim Kelmendi, banor i Prishtinës, thotë se në akumulimin e borxhit ka ndikuar edhe pandemia.
“S’kanë ardhur faturat, 2020-a, janë grumbulluar borxhet, qytetarët nuk i kanë paguar, sepse ka ndërruar forma e pagesës. Tani në Komunë nuk ka shkuar askush, tani sigurisht shumë qytetarëve iu kanë grumbulluar, s’e kanë paguar me rregull bërllokun, tani u bë ky problem shumëvjeçar, nuk është prej tash”, u shpreh Kelmendi.
Kompanitë synojnë që borxhet t’i mbledhin nëpërmjet përmbarimit. Në kompaninë “Pastrimi” thanë se rreth 41 mijë raste janë dërguar në përmbarim.
Por, në shoqatën PAMKOS thonë se përmbarimi mund të vlejë vetëm për borxhe të reja.
“Prej kohës që është vendosur në fuqi është një ndihmë shumë e madhe, por për borxhe të vjetra është vështirë të përdoret përmbarimi për t’i marrë ato borxhe”, ka deklaruar Merlina Beu-Muçaj, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Pastërti dhe Ambiente të Kosovës.
Borxhlinj janë edhe vetë disa kompanitë rajonale të menaxhimit të mbeturinave, të cilat kanë detyrime të pashlyera ndaj deponive. Vetëm dy kompani nuk kanë obligime ndaj deponive.
Në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë thonë se ky detyrim tejkalon shumën prej 1 milion eurosh.
“Shkaktarët e krijimit të borxheve të ndryshme që kanë krijuar kompanitë rajonale të mbeturinave ndaj klientëve të ndryshëm, në këtë rast edhe ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në vlerë 1.042.706.61 euro, nuk ka qenë tarifa prej 5.31 eurosh. Shkaktarët janë të tjerë. Për shembull, ne mendojmë se menaxhimi dhe administrimi jo i mirë i KRM-ve është në pyetje”, ka thënë Abdullah Haxhiu nga Kompania për Menaxhimin e Deponive.
Sipas tij, në disa raste nuk i kanë pranuar mbeturinat nga kompanitë rajonale që nuk i kanë shlyer borxhet ndaj deponive.
Folegjenda: Kompanitë synojnë që borxhet t’i mbledhin nëpërmjet përmbarimit. Në kompaninë “Pastrimi” thanë se rreth 41 mijë raste janë dërguar në përmbarim