Borxhi i akumuluar ndaj kompanisë për grumbullimin e mbeturinave “Pastrimi”, ka arritur në 19 milionë euro, nga viti 2010, ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Burim Kelmendi.
Kelmendi ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se ky borxh është akumuluar sërish, pas faljes së 10 milionë eurove, në vitin 2008 nga Qeveria e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Problemi numër një është mospagesa prej qytetarëve. Kemi 19 milionë euro borxh të akumuluar nga komunat. 10 milionë euro janë falur në vitin 2008, këto janë prej vitit 2010. Borxhi është falur dhe nuk është kërkuar. Janë 120 mijë klientë që kemi mirëpo shumica janë recidivistë që nuk e kanë paguar prapë”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se problemi i kompanive si “Pastrimi” është se janë themeluar si joprofitabile dhe se kjo po ndikon që ajo të mos mund të bëjë investime.
Kelmendi ka përmendur edhe faktin që një numër i amvisërive nuk janë futur ende në listat e faturimit, duke përfshirë edhe lagjen ku ai vetë banon.
“Vet banoj te banesat ‘Skandinave’ banoj që 4 vite dhe kam dërguar kërkesë që të regjistrohet edhe ajo pjesë sepse jemi 70 familje që jetojmë aty dhe nuk paguajmë mbeturina, në anën tjetër jetojmë në Prishtinë. Është jo demokratike që një pjesë e qytetarëve faturohen e një pjesë tjetër nuk faturohet dhe ne i shpërndajmë 75-76 mijë fatura”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka bërë të ditur se nga viti 2014 i kanë dërguar në përmbarues privatë rreth 40 mijë lëndë, por që vetëm rreth 18% e tyre janë realizuar.
“Duhet të bëhet kushtëzimi. Nuk kemi asnjë kushtëzim ndaj konsumatorëve, ne nuk e kemi si KEK-u që tu ndalet rryma, apo si Ujësjellësi. Edhe me përmbarues privat ka dështim total. Prej vitit 2014 kemi dërguar afërsisht 40 mijë lëndë, kemi një realizim prej 18%, edhe një pjesë e tyre që quhen realizim janë me prapësime në gjykata. Pra, ka një neglizhencë të vazhdueshme të shtetit ndaj menaxhimit të mbeturinave”, është shprehur ai, duke thënë se ndonëse është bërë si opsion që borxhi të paguhet me këste, as kjo nuk ka pasur efekt.
Kelmendi ka kërkuar që të Kosova të ketë Ligj të Mbeturinave.
Sipas tij, kompania “Pastrimi” e cila menaxhon mbeturinat në 7 komuna të Kosovës, ka 100 kamionë dhe 850 punëtorë, derisa një kamion punon në tri ndërrime.