Përdoren nga banorët e lagjes për hedhjen e mbeturinave.
Këta kontejnerë plastikë u vendosën pesë vjet më parë, me qëllimin që të bëhej edhe ndarja e mbeturinave të riciklueshme dhe të pariciklueshme.
Përveç që nuk shërbyen kurrë për këtë gjë, shumica e tyre janë dëmtuar.
Shumë nga ta janë djegur, duke u përgjysmuar kështu edhe numri i tyre.
Rreth 700 të tjerë që kanë mbetur, janë të shkatërruar.
Në gjendje jo të mirë janë edhe kontejnerët e vjetër.
Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, thotë se kjo po sjell vështirësi të madhe për punëtorët, që çdo ditë bëjnë grumbullimin e mbeturinave.
Kelmendi deklaron se kanë shpallur një tender për blerjen e disa kontejnerëve të rinj, megjithatë ata janë të mjaftueshëm.
“Kontejnerët plastikë janë për vendet që kanë edhe riciklim. Dhe për një periudhë të shkurtër ne kemi pasur dëmtim të tyre dhe djegie, mbi 600 janë vetëm t’i mbulojmë këto pika në Prishtinë shkon diku gjysmë milioni euro kompanisë, çka ato mjete nuk i kemi, me çmimet që janë rritur, me çmimet që na paguajnë ne klientët tanë me 4.70 euro. Kemi shpallur një tender, nuk e di çfarë sasie na vijnë, edhe nëse vijnë 100 nuk mjaftojnë. Në vendet e tjera janë siguruar nga komunat, ndërsa në Prishtinë nuk ka ndodhur kjo. Ne e kemi qitë një tender tani është në OSHP dhe ajo është jofunksionale. Pra, kjo është në vlerë 50 mijë euro”, tha Kelmendi.
Kjo është gjendja e kompanisë "Pastrimi" për të cilën javë më parë, Kuvendi Komunal i Prishtinës ndau 100 mijë euro subvencione për të paguar borxhin që ka ndaj Deponisë për Menaxhimin e Mbeturinave.
Sipas Kelmendit, çfarëdo ndihmese nuk do ta zgjidhë problemin financiar pa u rritur çmimi i faturave.
“Kemi kontratën fikse që i marrim 3.80 centë për një amvisëri, paguajmë 62 mijë klientë e shpërndajmë 75 mijë fatura. 30 për qind e Prishtinës nuk është në faturim dhe nuk paguajnë fare. Me çmimet e naftës, me ngritjen e krejt materialeve. Na ish dashtë të paguhemi për 89 mijë amvisëri sa i ka Prishtina. Me kushtet sot, me çmimet sot të naftës dhe të materialeve të tjera kjo është qesharake. Ne jemi duke shkuar drejt falimentimit pa u rritur çmimi i faturimit. Çfarëdo subvencionimi është i mirëseardhur, por nuk e zgjidh problemin pa u rritur çmimi”, tha Kelmendi.
Për mungesë të kontejnerëve ankohen edhe qytetarët e Prishtinës.
Ndryshe, kompania "Pastrimi" thotë se bëjnë shpërndarjen falas të shportave 120 litërshe të bërllokut për shërbimin derë me derë. Për këto, ata thonë se kanë ende sasi në stok vetëm se duhet bërë kërkesa nga qytetarët për t’i marrë ato.