Për shkak të borxheve që i ka kompania “Pastrimi” ndaj deponisë në Mirash, asaj i është kufizuar sasia e bërllokut që mund ta hedhë aty. Për pasojë, kontejnerët në komunat e rajonit të Prishtinës prej ditësh kanë kundërmuar nga mbeturinat. Në kompaninë “Pastrimi” kanë arsyetuar borxhet, duke thënë se as konsumatorët nuk po e paguajnë shërbimin. Por, në deponinë në Mirash kanë treguar se “Pastrimi” prej kohësh po i rrit shpenzimet e brendshme nëpërmjet punësimeve të shpeshta, ndërsa nuk po i shlyen obligimet
Kontejnerët në qendër të Prishtinës kanë qenë të stërmbushur me mbeturina gjatë së martës. Kundërmimi që ka shkaktuar grumbullimi i tyre anembanë kryeqytetit ka shqetësuar qytetarët.
Situata me bërllokun është pasojë e borxheve të kompanisë “Pastrimi” ndaj deponisë në Mirash, për çka i janë vënë asaj kufizime për sasinë e mbeturinave që mund ta shkarkojë aty.
Jeta Çitaku është nga banorët e kryeqytetit që ka shprehur brengën për situatën e krijuar.
“Viruset edhe bakteret shpërndahen shumë më lehtë”, shpreh brengën ajo, pasi kontejnerët e pazbrazur kundërmojnë. “Është diçka jo e dinjitetshme për qytetin dhe për njerëzit që jetojnë këtu”.
Në kompaninë rajonale “Pastrimi” janë arsyetuar se borxhi prej 700 mijë eurosh ndaj deponisë është shkaktuar meqë ka edhe mospagesë të faturave mujore nga qytetarët.
Arbnora Ademi, zëdhënëse e kësaj kompanie rajonale, ka thënë se zgjidhja e vetme do të jetë rritja e çmimit të faturës aktuale, për çka është duke u pritur konfirmim nga komunat.
“Sigurisht ky borxh është grumbulluar nga mosmundësia e kompanisë që të kryejë pagesën e rregullt të faturës mujore për arsye se edhe neve si kompani na kanë klientët një borxh shumë të madh, diku është afër 20 milionë euro borxh. Pastaj ka ndikuar deri në këtë gjendje rritja e çmimeve në treg, rritja e çmimeve të derivateve e shumë faktorë të tjerë që neve po na e pamundësojnë ta bëjmë pagesën në kohë të faturës mujore ndaj kompanisë”, ka thënë Ademi.
Por, në kompaninë për menaxhimin e deponive thonë se “Pastrimi” nuk mund t’i shlyejë borxhet shkaku i rritjes së shpenzimeve të brendshme që së fundmi po i krijon nëpërmjet punësimeve të shumta.
Kryeshefi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Avdullah Haxhiu, ka thënë se asnjë marrëveshje kompania “Pastrimi” nuk e ka respektuar me sukses.
“Në qoftë se vazhdon çdo dy tre muaj të hapë konkurse, të rrisë numrin, nuk e di a i ka tepricë apo jo ata, nuk është çështje e imja, por të paktën edhe nëse ke nevojë, kur je në obligime e që është një situatë goxha kritike duhet pak të shtyhet në kohë ai pranim i punëtorëve që të mos vijë te kjo situatë për të rrezikuar shëndetin publik jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në regjion”, ka thënë Haxhiu.
Edhe në Komunën e Prishtinës fajësuan kompaninë “Pastrimi” për situatën, meqë treguan se ajo nuk varet kryekëput nga arkëtimi për shërbimin ndaj klientëve, meqë mbështetja e fundit financiare që ia ka dhënë është në maj, në vlerë 100 mijë euro.
Sipas Ilirik Musliu, drejtorit për shërbime publike, Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar katër alternativa, me qëllimin për t’i gjetur zgjidhje të përhershme problemit.
“Edhe pse është ndërmarrje e komunës, ne kemi bërë formatin e punës sikur me qenë tenderim për arsye se pavarësisht inkasimeve ne gjithmonë e kemi paguar shërbimin për njësi familjare. Andaj ‘Pastrimi’ nuk është varur prej inkasimeve. Gjithmonë pjesa financiare sa i përket anës së komunës ka qenë stabile, mirëpo për shkak të arsyeve të ndryshme po kemi probleme të tilla që obligimi i ndërmarrjes nuk po mund të kryhet ndaj deponisë”, ka thënë Musliu.
Në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës treguan se përkohshëm kanë hequr kufizimin për shkarkimin e mbeturinave dhe i kanë dhënë afat kompanisë “Pastrimi” që deri më 15 korrik të gjejë një zgjidhje për shlyerjen e borxhit.
“Pasi që është edhe ky reflektim i vogël, ne sot i dërguam një shkresë, e informuam që veç keni filluar dhe sado që është e vogël dhe pa ndonjë ndikim kjo pagesë, por me shpresën që brenda një periudhe deri më 15 korrik do të filloni me pagesën të paktën të një fature të plotë. Sepse janë disa fatura dhe një pjesë është që është paguar pjesërisht shumë më herët dhe pjesa tjetër është total fatura që nuk janë paguar, që të paktën deri më 15 korrik ta paguajnë një faturë dhe deri në fund të muajit korrik ta paguajnë një faturë tjetër”, ka thënë kryeshefi Avdullah Haxhiu.
Gjendje e tillë kaotike me mbeturinat në kryeqytet për arsye të njëjtë ishte krijuar edhe gjatë muajve të kaluar. Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë si masë paralajmëruese ua kishte mbyllur qasjen në deponinë në Obiliq për dy-tri ditë.
“Pastrimi” është kompani publike rajonale, e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e mbeturinave. Si veprimtari të saj themelore ka bartjen e mbeturinave në regjionin e Prishtinës që përfshin komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.