Autoritetet e sigurisë nuk e kanë cilësuar kërcënim e as provokim lëvizjen e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën. Në Polici thanë se janë informuar paraprakisht nga KFOR-i për këtë lëvizje. E në misionin e NATO-s theksuan se shtimi i trupave dhe i patrullimeve mundëson që paqeruajtësit t’u përgjigjen të gjitha situatave.
Rreth 200 metra afër kufirit me Kosovën, ushtria serbe është duke zhvilluar stërvitje. Lëvizjet e tilla të ushtrisë së Serbisë fare pranë territorit të Kosovë janë parë me shqetësim nga autoritetet e Kosovës.
Por, shqetësim nuk vërehet në fshatin Banjë, të banuar me serbë. Megjithëkëtë, lëvizjet e banorëve janë fare të rralla.
Mbrëmjen e së enjtes kryeministri Albin Kurti deklaroi se ushtria serbe po provokon dhe kësaj ia bashkëngjiti edhe një video në të cilën shihet aktiviteti i njësive të specializuara disa metra larg kufirit me Kosovën.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se xhirimet i bëri Policia, pasi për lëvizjet e ushtrisë serbe paraprakisht u njoftua nga KFOR-i.
“Për ushtrimin e ushtrisë serbe ne kemi pasur informacion nga partnerët tonë të KFOR-it, të cilët na kanë njoftuar, së paku unë e kam ditë një ditë më herët që do të ketë ushtrim dhe nuk ka qenë befasi për neve. Pamjet janë tonat ne i kemi parë ata ne kemi qenë në afërsi të vendit edhe ne se jemi duke e kontrollu kufirin tonë por nuk ka pas ndonjë problem për me theksu”, deklaroi ai.
Përgjegjës për ruajtjen e kufirit me Serbinë është KFOR-i. Në këtë mision të NATO-s i thanë KOHËS se shtimi i trupave dhe patrullimeve mundëson që paqeruajtësit t’u përgjigjen të gjitha situatave.
“Pas tensioneve të fundit ne dislokuam rreth 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullave duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Prandaj KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që ia mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’u përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Deklaratat e kryeministrit Kurti se ushtria serbe është duke provokuar me lëvizjet e saj pranë kufirit me Kosovën janë quajtur dezinformata në Serbi. Zyrtarë shtetërorë thanë se ushtria është duke kryer detyrat e rregullta për sigurim të kufirit.
“Përhapja e mashtrimeve dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më e zakonshme, janë pjesë e një fushate më të gjerë të institucioneve të Prishtinës, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin e kushteve të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe shmangien e detyrimit të pranuar ndërkombëtarisht”, deklaroi Zoran Jovanoviq, kryetar i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike.
Por, kryeministri Kurti tha se ushtrimet bëhen në kazerma.
“Nuk ka asnjë dëshmi që sot janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por ato s’mbahen 10 metra afër kufirit. Janë shumë afër kufirit sa që s’ka nevojë as për dronë e dylbi për t’u parë me njëri-tjetrin. Nëse dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma e nuk vjen te kufiri”, tha ai.
Kërcënim për sigurinë e Kosovës, mes tjerash, është parë edhe deklarimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar” në Kosovë.