Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Beogradin për shfaqje të “agresionit”, pasi ushtria serbe ka kryer gjatë së mërkurës stërvitje ushtarake në fshatin Muhoc të Bujanocit që ndodhet në afërsi me Kosovën. Veprimi ka nxitur reagim edhe nga Tirana zyrtare. E në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR – kanë thënë se stërvitjet e tilla nuk përbënin rrezik për sigurinë në rajon
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësim për stërvitjet që forcat ushtarake të Serbisë i kanë kryer gjatë së mërkurës në fshatin e banuar me shqiptarë Muhoc, i cili ndodhet në afërsi me Kosovën.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka deklaruar se me të këtilla veprime Serbia synon që t’i rrisë tensionet, t’i frikësojë shqiptarët që jetojnë në Bujanoc e edhe që të nxisë provokime.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për të frikësuar banorët atje, që ka vite që po përballen me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokratik serb, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kurti të enjten.
Kryeministri ka vlerësuar po ashtu se ushtrimet e tilla janë shfaqje e rrezikshme e agresionit.
“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga një sërë brigadash të 63 parashutistëve serbë përmes stërvitjeve me helikopter H125M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës përbën një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin kriminal të Milan Radoiçiqit, të cilët realizuan sulmin agresor terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vrau rreshterin policor Afrim Bunjaku, heroin e Kosovës”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë situatë, udhëheqësi i Qeverisë u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të mos bien pre e provokimeve, ndërsa ka theksuar se institucionet e Kosovës janë vigjilente karshi çdo lloj rreziku.
LEXO EDHE:
Për stërvitjen në Bujanoc kanë reaguar edhe në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka theksuar se siguria e territoreve shqiptare është e garantuar nga NATO-ja.
“Republika e Serbisë mitingon të gjitha rreziqet që pretendon, për problemet e veta që ka, në përputhje me dokumentet e veta strategjike, dhe ato ushtarake, kurse Republika e Shqipërisë, nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në kuadër të aleancës së NATO-s, dhe aleanca e NATO-s është aleanca më e fortë në botë dhe ndaj shqiptarët duhet të jenë të sigurt se e gjithë doktrina jonë, e gjithë përgatitja e forcave të armatosura është në përputhje me NATO-n. Dhe në këtë pikë siguria e territoreve shqiptare dhe e Kosovës është e siguruar për sa kohë aty është aleanca dhe garantohen nga NATO”, ka theksuar Nufi.
Ndërkaq, në misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – e ka quajtur rutinore dhe të paralajmëruar stërvitjen e ushtrisë serbe në Komunën e Bujanocit.
Sipas KFOR-it, këto stërvitje të ushtrisë serbe nuk përbëjnë kërcënim.
“Mund ta konfirmojmë që KFOR-i ishte i informuar nga Forcat e Armatosura Serbe se e ka të caktuar një aktivitet trajnues me parashutistë, që do të lëshoheshin nga një helikopter në fshatin Muhoc të Serbisë. Ky është aktivitet rutinë që ndodh në territorin e Serbisë dhe nuk paraqet kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon ta përcjellë nga afër situatën në Vijën Administrative Kufitare dhe në Kosovë, duke mbajtur kontakt dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”, kanë thënë në KFOR, në një përgjigje për KOHËN.
E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se aktivitetet e tilla, veçanërisht kur zhvillohen pranë zonave të banuara me shqiptarë dhe përfshijnë kapacitete ajrore ndikojnë në perceptimet e sigurisë së komuniteteve lokale, në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka shtuar se në kontekstin e sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe në uljen e besimit ndërmjet aktorëve lokalë.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia kryen stërvitje pranë kufirit me Kosovën. Në të kaluarën, ky shtet është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se e ka dërguar ushtrinë shumë pranë kufirit me të, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar. Tensionet mes dy vendeve janë tensionuar edhe më shumë që prej vitit 2023, kur autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për sulmin e grupit të serbëve të armatosur kundër Policisë së Kosovës, me ç’rast është lënë i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe për shpërthimin në kanalin jetik të ujit “Ibër-Lepenc”. Edhe për këto dy sulme në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, Serbia e ka mohuar përfshirjen. Që atëherë, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur dhe nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë, pavarësisht se palët janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të 2023-tës.
Serbia, me Kushtetutën e saj, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten, ndonëse Kosova e ka shpallur pavarësinë qysh në vitin 2008. Dy vendet fqinje janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Por, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën dy vendet e kanë arritur më 2023 dhe që parasheh respektim të ndërsjellë të sovranitetit dhe tërësisë territoriale nuk është zbatuar kurrë.