Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti për stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit: Duan ta cenojnë integritetin territorial

Albin Kurti

Kurti bëri të ditur se lidhur me këtë çështje u është drejtuar faktorëve ndërkombëtarë dhe paralajmëroi adresim edhe në mbledhjen e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe përpjekje për të cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

Ai ka deklaruar se institucionet e sigurisë janë të përgatitura dhe se kufiri i Kosovës është i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky është një provokim i Serbisë, i cili natyrisht që dëshiron ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. Por në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre. Sepse në Kosovë më nuk ka struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Dhe nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka brenda Kosovës tash kanë shkuar aty rrotull kufirit edhe përpiqen që të demonstrojnë forcën”, tha ai në një deklaratë për media pas përurimit të segmentit të rrugës Vushtrri-Prishtinë.

Kurti bëri të ditur se lidhur me këtë çështje u është drejtuar faktorëve ndërkombëtarë dhe paralajmëroi adresim edhe në mbledhjen e Qeverisë.

“Është provokim, ne për këtë u kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë. Do ta kemi një adresim edhe në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës e cila mbahet sot. Por forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur, dhe këtë e bëjmë me forcën e sigurisë së Kosovës, me policinë e Kosovës, me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti me KFOR-in. Pra në njërën anë është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër kjo është edhe shprehje e frikës edhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë, dhe nuk mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk ju treten ende”, tha Kurti, shkruan EO.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, gjatë së mërkurës ka thënë se stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Gjilanit, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët. 

Ka shtuar se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ndërkaq po të mërkurën, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, i ka quajtur të papranueshme stërvitjet ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, duke deklaruar se ato përbëjnë provokim ndaj popullatës shqiptare.

Kurti për stërvitjet afër kufirit: Koha e fundit që bota ta ndëshkojë Serbinë për qasjen destabilizuese

22 min. më parë / 19 mar 2026 12:02
kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur tepër shqetësuese stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. Ai ka thënë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë.

Ai ka thënë se një shfaqje e tillë e ushtrisë serbe paraqet jo vetëm trysni dhe nxitje tensioni por edhe përpjekje për t’i frikësuar banorët shqiptarë “që ka vite që përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi”. 

“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun – heroin e Kosovës”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë. 

Kurti ka shtuar se Beogradi po e shfrytëzon këtë moment për ta sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj Rusisë dhe Iranit.

“Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Por është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkoj këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale. Është koha e fundit pra që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka përfunduar Kurti.