Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë për ta mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon.
“Komanda Rajonale Lindje (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i përsëriti se vazhdon ta zbatojë mandatin - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Më 29 nëntor, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë fajësuar direkt Serbinë. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
Për shpërthimin deri tash janë dy serbë në paraburgim.
Edhe
Policia vazhdon kontrollet në terrenin përreth kanalit të Ibër-Lepencit
Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.