Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Investimi në “Ibër-Lepenc” vlerësohet strategjik për sigurinë ujore

Kanali Ibër-Lepenc

Sulmi me eksploziv ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit, më 29 nëntor 2024, ka aktivizuar institucionet për ndërhyrje në mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Të martën në Zubin-Potok është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit, projekt që sipas institucioneve synon rritjen e sigurisë ujore dhe parandalimin e rreziqeve të reja

Në Zubin-Potok është përuruar të martën rehabilitimi i një pjese të kanalit të “Ibër-Lepencit”, projekt që, sipas institucioneve, synon të forcojë sigurinë ujore dhe të mbrojë infrastrukturën kritike të shtetit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në përurim, ka thënë se projekti përfaqëson një investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe garantimin e sigurisë ujore në vend.

"Prej se është ndërtuar në vitet ‘80, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali, që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në Rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë", ka thënë Kurti.

Qarkullimi i ujit në kanal u ndërpre për disa orë më 29 nëntor të 2024-tës, pas një sulmi me eksplozivë në të.

Kurti ka thënë se investimi prej 18 milionë eurosh nuk është vetëm reagim ndaj rreziqeve, por investim në ndërtimin e kapaciteteve për t’i parandaluar ato.

"Janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente", ka thënë ai.

E, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se nëpërmjet projektit janë arritur tri rezultate kryesore.

Edhe Përurohet projekti që synon të forcojë sigurinë e kanalit të Ibër-Lepencit Arbëri Përurohet projekti që synon të forcojë sigurinë e kanalit të Ibër-Lepencit

“E para, e ka rehabilituar kanalin dhe ia ka rikthyer kapacitetin fillestar; e dyta, e ka përmirësuar cilësinë e ujit; dhe e treta, e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike”, ka thënë ajo.

Nëpërmjet kanalit të “Ibër-Lepencit” mundësohet furnizimi me ujë nga liqeni më i madh që ka Kosova, ai i Ujmanit, i cili ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.