Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se gjykimi i të akuzuarve për sulmin terrorist mbi kanalin e “Ibër Lepencit” do të nisë këtë muaj. Të akuzuar në këtë rast janë dy vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq. Njëri prej tyre i ka thënë prokurorisë se është stërvitur në bazën e njëjtë, ku u stërvit edhe grupi i Radoiçiqit për sulmin në Banjskë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në fund të dhjetorit do të mbahet shqyrtimi fillestar për rastin e sulmit terrorist mbi kanalin e Ibër Lepencit.
Seanca është caktuar për datën 24 dhjetor, e të akuzuar në këtë rast janë Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.
“Ju njoftojmë se seanca fillestare në çështjen penale ndaj të pandehurve D.V., J.V. dhe I.D. është caktuar të mbahet më datë 24 dhjetor 2025, në orën 09:30”, ka njoftuar Themelorja në Prishtinë.
Prokuroria Speciale i akuzon të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje. Pastaj dy vëllezërit Viqentijeviq për kryerje të veprës terroriste, kurse Jovan Viqentijeviqin edhe për spiunazh.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, bëhet e ditur se Jovan Viqentijeviq i ka thënë prokurorisë se është trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe Pasulanske Livade, me rreth 120 persona të tjerë në periudhën 14-23 shtator 2023.
E siç rezulton nga aktakuza për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, në këtë interval kohor, stërvitje kreu edhe grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi.
Në bazë të aktakuzës, grupi që kreu sulmin në Banjskë, i realizoi stërvitjet të paktën në datat 19 dhe 20 shtator 2023.
Jovan Viqentijeviq i ka thënë prokurorisë po ashtu se edhe një sulm tjetër ishte i planifikuar në tetor të vitit të shkuar, porse Radoiçiqi e anuloi atë meqë, siç ka thënë i akuzuari, priteshin përfundimi i zgjedhjeve në Amerikë dhe fitorja e Donald Trumpit.
Po sipas Viqentijeviqit, Radoiçiqi e mbështeti fushatën e Trumpit me 30 milionë dollarë nëpërmjet lobit serb.
Në bazë të ekspertizës së FBI-së që është pjesë e aktakuzës, në çizmet e të akuzuarve, është gjetur dheu që për sa u përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes ishte i njëjtë me atë të marrë si mostër në kanalin e “Ibër Lepencit”.
Organi i akuzës pretendon se në fitilin që u sekuestrua në vendin e ngjarjes u gjet edhe material i ADN-së, që përputhet në masë të madhe me gjenet e të akuzuarve.