Këshilli Gjyqësor ka vendosur që të nisin procedurat për zgjedhjen e kryesuesit të ri. Ky konkurs është hapur tri javë para se t’i përfundojë mandati kryesuesit aktual, Albert Zogaj, i cili nuk ka treguar nëse synon edhe një mandat
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka shpallur konkursin për përzgjedhjen e kryesuesit të ri, kur kanë mbetur edhe tri javë deri në përfundim të mandatit të kryesuesit aktual, Albert Zogaj. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit që u mbajt të premten. Por paraprakisht për shpalljen e tij, KGJK-ja ka kërkuar opinion nga Zyra Ligjore.
“E kemi memon shpjeguese si material i nevojshëm për informacion. Ajo që është e rëndësishme për procedurë, meqenëse kemi edhe media, zyra Ligjore e përgatit vendimin për kushtet dhe procedurën e aplikimit”, ka thënë Zogaj.
Ndër kushtet që kandidatët duhet të plotësojnë është se duhet të jenë anëtarë gjyqtarë të Këshillit si dhe duhet të sigurojnë së paku nga tre nënshkrime prej anëtarëve të tjerë të Këshillit. I pyetur nëse do të rikandidojë, kryesuesi Zogaj u shpreh se çështja e rikandidimit është personale dhe se ende është herët të flitet për të.
Ligji për Këshillin Gjyqësor ua përcakton anëtarëve mandatin 5-vjeçar pa mundësi rizgjedhjeje.
Ndërkaq kryesuesit ia kufizon këtë mandat në 3 vjet. Pas përfundimit të mandatit si kryesues, Zogajt do t’i mbetet edhe një vit e tetë muaj mandat si anëtar i KGJK-së. Ai do të ketë mundësi rikandidimi, ani se mund ta lërë mandatin në gjysmë shkaku i kufizimit ligjor të kohës si anëtar i KGJK-së.
Kjo hapësirë është lënë me Rregulloren mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e KGJK-së, meqë në të nuk ishte përfshirë propozimi që rizgjedhja e kryesuesit të mos lejohet, siç bëhet rëndom me kryetarët e gjykatave që nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. Rregullorja parasheh që procesi i përzgjedhjes së kryesuesit të mos e tejkalojë një muaj nga mbetja e lirë e pozitës.