Rritja e çmimeve të derivateve pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme po reflektohet përherë e më shumë edhe në tregun kosovar. Për frenimin e rritjes së mëtutjeshme të çmimeve dhe për shmangien e efekteve zinxhirore për ekonominë e vendit, ekonomistë dhe përfaqësues të bizneseve i kanë kërkuar Qeverisë që të ndërhyjë me masa fiskale, duke e larguar përkohësisht akcizën për naftë
Për më shumë se 30 për qind janë rritur çmimet e naftës në Kosovë që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, afro dy javë më parë.
Ndonëse Kosova është gjeografikisht larg zonës së konfliktit dhe nuk ka lidhje direkte tregtare me shumicën e vendeve të përfshira, efektet e tij janë reflektuar në mënyrë të shpejtë, duke i prekur xhepat e qytetarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër ta frenuar rritjen e mëtejme të çmimeve të karburanteve e edhe të produkteve të tjera, ekonomistë dhe përfaqësues të bizneseve kanë thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte heqja e përkohshme e akcizës për naftën.
“Pse nuk po e heq akcizën që çmimi i naftës të jetë më i ulët. Le ta heq akcizën, çmimi do të bëhet më i ulët për një periudhë të caktuar sa e kemi rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës. Pasi sa më shumë që rritet çmimi i naftës, aq më shumë do të rriten çmimet e produkteve gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar profesori i ekonomisë, Shkumbin Musini.
Përveç vendimit të Ministrisë së Tregtisë për caktimin e marzhës tregtare për kompanitë që tregtojnë me karburante, Qeveria ende nuk ka marrë asnjë vendim tjetër në përballje me efektet e të luhatjes së çmimeve.
Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë, e kritikoi ekzekutivin se nuk e ka marrë mundin t’i ftojë në takim përfaqësuesit e bizneseve për t’i shqyrtuar mundësitë e kapërcimit më të lehtë të situatës.
“Kur varesh nga importi i këtij produkti, i cili ka ndikim zinxhiror tutje në sektorë të ndryshëm ekonomikë, por edhe te xhepi i qytetarëve për shkak të përdorimit të tij për transport, pra është e çuditshme pse nuk kemi një veprim të shpejtë. Ne po kërkojmë një shtyrje të përkohshme të disa taksave që do të kishin një ndikim të mirë”, ka theksuar Ahmeti.
Në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse kanë ftuar përfaqësues të bizneseve për të diskutuar mbi këtë çështje dhe as nëse ka të paraparë ndonjë masë apo lehtësi fiskale për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve.
E në një kompani që e bën distribuimin e produkteve ushqimore dhe joushqimore në Kosovë treguan në kusht anonimiteti se kanë pranuar njoftim nga kompani aziatike, prej të cilave furnizohen, për çmime të reja me rritje.
“Deri tani e kemi mbajtur çmimin e njëjtë, sepse kemi pasur stoqe. Tash janë në përfundim dhe të tjerat që do të vijnë, do të vijnë me çmime më të shtrenjta”, është shprehur drejtuesi i një kompanie distribuimi.
E kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, e arsyetoi shtrenjtimin e karburanteve, duke thënë se çmimi i furnizimit me shumicë një ditë më parë ka qenë 1.53 centë.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për panik, pasi që derivate në Kosovë ka mjaftueshëm dhe shpresojmë se do të arrihet një marrëveshje për paqe dhe do të stabilizohet tregu i naftës në tërë globin. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmime më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, pasi e kanë akcizën për dizel për 22 centë më të ulët, ndërsa benzina është si te ne”, ka thënë Berjani.
Por çmimi i furnizimit, sipas Ministrisë së Tregtisë, më 12 mars ishte 1.42 euro për një litër naftë, ndërsa u tregtua deri në 1.54 euro.
Furnizimin me naftë Kosova e bën kryesisht nga Greqia, Shqipëria, Hungaria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e një pjesë e konsiderueshme e saj hyn nga terminali i Porto Romanos në Durrës.