Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bujqit ankohen për rritje të kostos e naftëtarët paralajmërojnë protestë kundër vendimit të Qeverisë

ministria e bujqesise, ferma, subvencione, fermeret, 18 prill

Foto: Ilustrim

Çmimet e ngritura të naftës po godasin edhe bujqësinë në kulmin e mbjelljeve pranverore. Bujqit paralajmërojnë se me këto lëvizje, një pjesë e tokave mund të mbesin të papunuara, duke rrezikuar prodhimin vendor. Derisa ata kërkojnë ndërhyrje nga shteti, në Shoqatën e naftëtarëve ankohen për vendimin e Ministrisë së Tregtisë për çmimin maksimal për derivate. Është paralajmëruar edhe protestë

Rritja e çmimit të naftës në kulmin e mbjelljeve pranverore ka goditur bujqit kosovarë.

Shumë nga ta ankohen se me rritjen e kostos do të detyrohen të heqin dorë nga një pjesë e mbjelljeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bujku Gani Dobratiqi nga Prishtina ka kërkuar ndërhyrje nga shteti për të mos i lënë tokat djerrina. Sipas tij, zgjedhja më e mirë do të ishte heqja e TVSH-së dhe akcizës nga nafta.

Por, një tjetër zgjidhje siç ka thënë është rritja e subvencionimit për naftë nga 50 euro në 200 euro për hektar.

“Unë tash para gjysmë ore e mbusha traktorin 200 e diçka euro, a vitin e kaluar e kam mbushur 100 euro. Me këto 200 euro, unë veç me pijatore me i përgatit këta 3 hektarë nuk më dalin. E ku është rrafshimi, ku është fara, ku është plehu, ku janë mbjellja, spërkatja. Kemi me qenë në një gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Dobratiqi.

Në ekzekutiv kanë thënë se nuk e kanë opsion heqjen e TVSH-së dhe akcizës.

E Ministria e Tregtisë, pas skadimit të vendimit për marzhën tregtare, ka nxjerrë vendim të ri për caktimin e çmimit maksimal ditor.

Sipas vendimit, gjatë së hënës çmimi maksimal i një litre ishte 1.86 euro, ndërsa një litre benzinë 1.44 euro.

Por, ky vendim po kundërshtohet nga Shoqata e Naftëtarëve, kryetari i së cilës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar protestë nëse nuk ndryshohet.

Sipas Berjanit, nafta po importohet me 1.86 euro për litër dhe po shitet po kaq, gjë që ai e sheh të dëmshme për bizneset. 

“Vendimi i Qeverisë është duke u respektuar. Por, është vendim i gabuar dhe dëmton bizneset dhe disa nga pikat mund të bankrotojnë. Askund në botë nuk ka këso zhvillimesh që i detyrojnë bizneset që të blejnë diselin 1.86 dhe të shitet 1.86 euro. Ky vendim duhet të ndryshohet, në të kundërtën do të ketë edhe protesta”, ka thënë Berjani.

Zëdhënësi i LDK-së, njëherësh deputet, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj Qeverisë për mosmarrjen e masave për mbrojtjen e qytetarëve.

“Maqedonia, ku nafta kushton 1.55 euro, dje ka ulur akcizën për 7 centë, ndërsa para dy jave ka ulur TVSH-në nga 18% në 10%. Qeveria e Kosovës nuk e ka ulur as akcizën, as TVSH-në, ani pse çmimi është 1.85+. Mos lësho pe Albin! Sa ma të larta çmimet aq ma shumë po të votojnë!”, ka shkruar ai.

Në Kuvendin e Kosovës, tri ditë më parë me kërkesë të LDK-së, është mbajtur një debat disa orësh për çmimet e derivateve që është përcjellë me akuza, por që nuk i ka dhënë zgjidhje problemit.

LDK-ja propozoi rezolutë, me të cilën synohej të ulej TVSH-ja dhe akciza për derivate, e që u përkrah nga PDK-ja, por jo edhe nga partia në pushtet që ka shumicën parlamentare.

Për dallim nga Kosova, Shqipëria ka ulur akcizën për 20 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut një ditë më parë ka ulur akcizën për 7 centë, pavarësisht se akciza në këtë shtet ishte më e ulët sesa në Kosovë.

Akciza në Kosovë është 36 centë për litër.