Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këmbësorëve u kufizohet hapësira e lëvizjes në qendër të Pejës

Pejë, 26 korrik – Rindërtimi i sheshit midis hotelit dhe objektit të postës kryesore, në Pejë, qe pritur mirë, ngase mendohej që qytetarëve do t’u krijoheshin hapësira të lirë për lëvizje, duke bllokuar lëvizjen e makinave pranë postës dhe objektit të vjetër të Komunës e hotelit. Mirëpo me këtë projekt të sheshit me nivelin e ngritur të tij është bllokuar edhe lëvizja e makinave në pjesën afër postës dhe objektit të Komunës.

Edhe lëvizja e lirë e këmbësorëve nuk është bërë siç patën thënë në Komunë, pasi së pari, ende pa përfunduar projekti vjet, gjysma e hapësirës së këtij sheshi u shndërrua në parkim të hotelit, duke u lënë qytetarëve vetëm një trotuar të ngushtë, mes parkimit dhe Parkut të Dëshmorëve. Kurse, këto ditë parkimi është zgjeruar edhe anën tjetër para postës, duke ua kufizuar edhe më shumë këmbësorëve hapësirën për lëvizje të lirë.

Në atë vend përballë postës janë vendosur edhe shenjat për parkim me pagesë. Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike thonë se askush nuk i ka kontaktuar për të bërë vendparkim në atë pjesë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).