Arbëri

Qeveria i rekomandon KEK-ut të shfrytëzojë 7 milionë € nga subvencioni për import të energjisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar të enjten, se kësaj korporate i janë deleguar detyra shtesë për të siguruar energji elektrike.

Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo korporatë ka pranuar disa rekomandime që të shfrytëzojë rreth shtatë milionë euro nga subvencioni i bartur nga Qeveria për import të energjisë elektrike, për të mbuluar kërkesën vendore me qëllim të furnizimit të pandërprerë.

Rekomandimi është bërë nga Komiteti Teknik për Energji, i themeluar të mërkurën.

“Aktualisht, KEK-u është duke punuar intensivisht me Ministrinë e Ekonomisë në finalizimin e marrëveshjes për jetësimin e rekomandimeve të Komitetit Teknikë të Energjisë”, thuhet në njoftim.

KEK-u ka bërë të ditur se po vazhdon të pranojë një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

“Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitojë sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundorë dhe evitimin e reduktimeve”, thuhet në kumtesë.

Deri më tash, bëhet e ditur se KEK-u ka depozituar mbi 120.000 MWh, ndërsa gjatë katër ditëve të fundit nga KESH-i janë pranuar rreth 3,500 MWh.