Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se teksa Kosova po penalizohet e bllokohet nga vetë aleatët e saj, Serbia, sipas tij, nuk po ndëshkohet për politikat destruktive.
Kadiu ka shpërndarë deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili në takim me presidentin e etnitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik dhe udhëheqësin e Kishë Ortodokse Serbe, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës asnjëherë.
Këshilltari i Bislimit ka pyetur se pse ta ruash integritetin territorial e sovranitetin është “gabim për Kosovën, e jo për Serbinë”.
“Edhe pse e mohon të kaluarën, presidenti i Serbisë po ia mbivendos asaj pikërisht kthimin në të kaluarën. Në leksikun e rrezikshëm të tij të artikuluar krah për krah me udhëheqësin shpirtëror të kishës ortodokse dhe aleatin e të tij më të rëndësishëm në Ballkan, Dodik, natyrisht që thelbësor do ishte dhe qëndrimi i stërthënë i tij: "Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur". Natyrshëm, lind pyetja se: çfarë po bën Kosova në këtë mes, sa të njihet me penalizime e bllokime të vazhdueshme nga vetë aleatët e saj, ndërkohë që Serbia mëton e lirë në orbitën e politikave të saj destruktive pa u ndëshkuar ndonjëherë? Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë”, ka shkruar Kadiu në Facebook të shtunën.
Kadiu ka thënë se “veprimet e gabuara” të Kosovës janë në shërbime të ruajtjes së shtetësisë, ndërsa ka përmendur një varg “vendimesh të mira” të Serbisë.
Edhe
Këshilltari i Bislimit u reagon ndërkombëtarëve: Kur do të reagoni ndaj Serbisë?
“Po nëse këto "vendime të gabuara" të Kosovës janë në shërbim të forcimit të njohjes ndërkombëtare e të shtetësisë dhe të ruajtjes së shtetit të saj nga një agresor në kufirin verior, "vendimet e mira" të Serbisë janë: përqafimi i kufirit me Kosovën me forca ushtarake, bllokimi i proceseve integruese euro-atlantike të Kosovës, shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit, nxitjet e tensioneve në veri, rrëmbimi i zyrtarëve policorë, agresioni paramilitar në Banjskë, destabilizimi e ndërhyrjet në Bosnjë si dhe Mal të Zi, mosndëshkimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, marrëveshjet e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, blerja e tejskajshme e armatimit, emërimi i të sanksionuarve nga Departamenti i Shtetit amerikan në poste të larta ekzekutive, shtypja e zërave të lirë së brendshmi, vjedhja e zgjedhjeve, të gjitha këto, qenkan për t'u anashkaluar e kaluar pa ndëshkuar”, ka shkruar tutje ai.
Kadiu ka thënë se pavarësisht të gjithave, në fund po ndëshkohet Kosova, e “është ajo që duhet gjithnjë të tregojë se sa konstruktive është e të bëjë hapin e parë”. Por thotë se mbetet mister se kur do t’i kërkohet Serbisë ta bëjë hapin e parë konstruktiv.
“Harrohet se vija ndarëse mes së keqes dhe të mirës, të qenurit në anën e drejtë apo atë të gabuar, venitet atëherë kur çdo indikacion të lë të kuptosh që ka në fakt vetëm një orientim të të gjitha këtyre vendimeve e sjelljeve. Në rastin e Serbisë, siç e dëshmuam më lart, nuk ka valëvitje të saj mes të keqes dhe të mirës, apo të drejtës e të gabuarës. Në konstelacionin e ri gjeopolitik që po ndërtohet, është po e njëjta e vjetra Serbi. Se kur do t'i kërkohet ndonjëherë Serbisë ta bëjë ajo hapin e parë konstruktiv, kjo mbetet mister. Ndoshta jo edhe aq, sepse vetëm ata që nuk duan të shohin e dëgjojnë, mund të presin diçka nga dikush që ripërsërit të njëjtin refren: ‘Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur’”, ka shkruar Kadiu.
Siç thotë Kadiu, duhet bërë çmos që gabimet e së shkuarës të mos riaktualizohen.
“Epo normalizimi i marrëdhënieve, nuk mund të jetë kurrsesi normalizim i kthimit të Serbisë në Kosovë. Marrëdhënie ka mes shtetesh. Nuk mund të ketë marrëdhënie mes shtypësit e të shtypurit. As nuk mund të bëhet kompromis që çon drejt nënshtrimit e kthimit prapa në kohë. Historia ka gjithmonë potencial përsëritës andaj dhe duhet bërë çmos që gabimet e së shkuarës, të mos riaktualizohen në të tashmen. Duhet të ketë mirënjohje, dhe jo penalizim e ndëshkim, prej të qenurit demokratik e progresist”, përfundoi shkrimi i këshilltarit për media të Bislimit.
Edhe
Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi: Vendimi ndaj Dodikut, “goditje serioze për popullin serb”
Kosova të premten s’arriti të futej në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian (KiE) për anëtarësim në këtë organizatë. Kosova u kushtëzua me “hapa konkretë” për Asociacionin në mënyrë që t’i garantohet anëtarësimi në KiE. Qeveria e Kosovës në momentet e fundit u përpjek të bënte një hap përpara, përmes një letre të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Por s’pati sukses.
LEXO EDHE: