Rajon

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi: Vendimi ndaj Dodikut, “goditje serioze për popullin serb”

Aleksandar Vuçiq

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë e ka dënuar vendimin kundër Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnje-Hercegovinës, duke e quajtur atë “goditje serioze politike për popullin serb në Republikën Sërpska dhe Marrëveshjen e Daytonit”.

Dodiku është dënuar me 1 gusht me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë.
Pas takimit, Këshilli u ka bërë thirrje të gjitha palëve në rajon që të ruajnë qetësinë.

Sipas tij, synimi kryesor i Serbisë, pas vendimit, është “ruajtja e Republikës Sërpska në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, përmes një fushatë aktive në organizatat ndërkombëtare, si partnerët tanë më të rëndësishëm”.

Këshilli ka thënë se “do të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, politike dhe ligjore për të mbështetur Republikën Sërpska dhe përfaqësuesit e tij ligjorë dhe legjitim”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas mbledhjes së Këshillit më 2 gusht se Këshilli ka vlerësuar se këto vendime “përbëjnë faktor destabilizues për sigurinë” dhe që “situata e sigurisë në rajon është minuar seriozisht”.

Presidenti Vuçiq e ka përsëritur pas takimit se kjo është periudha më e vështirë për Serbinë prej vitit 2008.

Ai ka thënë se Dodiku nuk do të arrestohet në Serbi, nëse do të shkonte atje.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë pas vendimit se atë do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, me qëllim të sfidimit të tij.

“Ne do të kërkojmë edhe masë të përkohshme për bllokim të ekzekutimit të vendimit derisa ta marrë vendimin Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë Bubiq në një konferencë për media më 1 gusht në Banjallukë, duke thënë se këta janë hapat që mund të merren që rasti më pas të apelohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Në konferencën e njëjtë për media, Dodik ka thënë se nuk e pranon vendimin dhe as veprën penale për të cilën është dënuar.

"Kurti do të përpiqet ta diskreditojë sërish Listën Serbe"

Presidenti serb ka thënë se në mbledhje është diskutuar edhe "për situatën e ndërlikuar në Kosovë", veçanërisht në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Kurti do të përpiqet sërish ta diskreditojë Listën Serbe dhe t’i imponojë përfaqësuesit e tij shqiptarë, të cilët nuk mund t’i marrin as dy apo tre për qind të votave. Megjithatë, edhe me ata, bashkësia ndërkombëtare deri tani ia ka mundësuar të qeverisë me komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona dhe nesër do t’i njoftoj për këtë disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botës dhe Evropës, me të cilët do të bisedoj në telefon,” ka deklaruar Vuçiq.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas tij, Serbinë e pret një “luftë e vështirë për mbijetesën e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi”, ndonëse situata edhe më shqetësuese është ajo në Bosnjë e Hercegovinë.

“Më së shumti më frikëson ajo që po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë, sepse disa mendojnë se mund të marrin çfarëdo vendimi, se kjo është normale dhe se të gjithë të tjerët duhet vetëm të shikojnë në qiell, të heshtin dhe të mos guxojnë të thonë asnjë fjalë kundër,” ka deklaruar Vuçiq.

Këshilli është mbledhur një ditë pas arrestimit të 11 personave – përfshirë një ish-ministër – në cilësinë e të dyshuarve në rastin e rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë 16 persona të vdekur.
Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar ka bërë të ditur fillimisht më 1 gusht për arrestimin e gjashtë të dyshuarve për përfshirje në krime të lidhura me korrupsion, lidhur me projektin për modernizim të stacionit në Novi Sad. Në mesin e të arrestuarve ka qenë ish-ministri serb, Tomisllav Momiroviq.

Në pasditen e 1 gushtit është bërë e ditur se janë arrestuar edhe pesë persona tjerë.

Prokuroria ka bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve janë Nenad Ignjatoviq, personi përgjegjës dhe pronari i kompanisë “Deko tim”, Slobodanka Kataniq, menaxhere për investime në kompaninë “Infrastruktura hekurudhore e Serbisë”, si dhe individë tjerë përgjegjës për çështje biznesore në projekt.

Projekti i rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad ka zgjatur tre vjet.

Sipas prokurorisë, të arrestuarit dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 115 milionë dollarësh, përmes veprimeve të tyre korruptive.

Gjithashtu ka dyshime se konsorciumi i kompanive kineze CRIC&CCCC, që është duke e ndërtuar një hekurudhë për trena të shpejtë, ka përfituar në vlerë të rreth 18.7 milionë dollarëve.

Përfaqësues të autoriteteve serbe e kanë nënshkruar kontratën me konsorciumin kinez, bazuar në marrëveshje ndërqeveritare në mes të Serbisë dhe Kinës, pa shpallur thirrje për tenderë.

Aksidenti në stacioni hekurudhor në Novi Sad, që ka lënë të vdekur 16 persona, ka nxitur protesta masive kundër Qeverisë në Serbi.
Qindra mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë në tetë muajt e fundit, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe penale për aksidentin.

Në fokus të protestave janë supozimet se korrupsioni ka rezultuar me rrëzim të strehës në stacionin hekurudhor.