Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian të hënën se me mbylljen e komunave paralele dhe rregulloren e re të Bankës Qendrore, Kosova po bën veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kadiu ka renditur disa nga çështjet për të cilat sipas tij, nuk ka pasur reagim të ashpër dhe sanksione ndaj Serbisë.
Ai ka përmendur aeroplanët rus Mig, të cilët kanë fluturuar rreth kufirit të Kosovës në shtator të vitit 2021 nga ana e Serbisë, barrikadat, sulmet ndaj institucioneve, KFOR-it e gazetarëve vitin e kaluar, agresionin në Banjskë e refuzimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
“ A kanë qenë të koordinuara Mig-at rus të cilët fluturuan në shtator 2021 rreth kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë? Po rritja e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë në nivelin maksimal, dhe stacionimi i trupave pranë kufirit disa herë në tre vitet e fundit? Po mungesa e bashkëpunimit për zgjidhje për targat dhe energjinë në dy vitet e fundit? Po barrikadat në fund korrik 2022? Po djegia e veturave të qytetarëve në veri? Po dorëheqja nga institucionet e Kosovës? Po barrikadat pasuese e sulmi ndaj zyrës së KQZ-së në Mitrovicë? Po bojkotimi i zgjedhjeve? Po sulmi ndaj institucioneve, KFOR-it dhe gazetarëve në maj 2023? Po rrëmbimi i 3 zyrtarëve tanë policor? Po akti i agresionit i Banjskës? Po refuzimi i marrëveshjeve, më specifikisht planit franko-gjerman dhe mosnënshkrimit të tyre? A kanë qenë të gjitha këto hapa që kanë ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe kanë kontribuar pozitivisht në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Kadiu më tej ka pyetur që kur ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë shqetësuese dhe kontribuojnë në eskalim, ndërsa hapat e Serbisë nuk kanë bërë as që të vihen sanksione ndaj saj.
Bashkimi Evropian i ka cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme veprimet e Kosovës në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ka thënë se veprimet e fundit në Kosovës kanë nxitur shqetësim te Bashkimi Evropian.