Çedomir Jovanoviq, lider i LDP-së (Partia Liberale e Serbisë), ka thënë sot se partia e tij do të marrë pjesë në dialogun brendshëm për Kosovën dhe se ky dialog nuk është për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, por për Serbinë dhe të ardhmen e saj.
“Kosova është rrënja e problemeve tona dhe shkaktar i përçarjeve të Serbisë, por sot duhet hapur dialogu edhe për Bosnje e Hercegovinën, për hyrjen e Serbisë në NATO, për marrëdhëniet tona të brendshme, për lirinë e mediave dhe të fjalës, dhe për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. LDP do të marrë përgjegjësinë në emër të atyre që nuk kanë heshtur për Kosovën, duke paguar çmim të madh personal me vendimin për të mos e gënjyer vendin e tyre, dhe do të bisedojë me Vuçiqin për këto tema”, ka thënë Jovanoviq, raporton “Danas”.
Ai ka thënë po ashtu se gjenden në pozicionet e njëjta siç kanë qenë gjithmonë, “në të njëjtin vend ku kemi pritur që edhe ata që drejtojnë këtë shtet të kuptojnë rëndësinë e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe kërkimin e zgjidhjes e cila fëmijëve tanë do t’u garantojë të ardhme dhe paqe të përhershme”, transmeton Koha.net.
Sipas fjalëve të Jovanoviqit, “nuk kemi kurrfarë mirëkuptimi për monologë të panumërt, të cilët e kanë ngarkuar shoqërinë tonë, dhe për frikacakët të cilëve sot u shërbejnë individë që t’i ikin përgjegjësisë e cila është para të gjithë nesh”.
Kujtojmë se lideri i LDP-së, Çedomir Jovanoviq, tashmë e pranon pavarësinë e Kosovës.
-
Jovanoviq s’i beson “dialogut të brendshëm për Kosovën” të Vuçiqit
-
Jovanoviq: Serbisë me Kosovën i duhet paqja, jo territori i saj
-
Jovanoviq: Kosova është rast specifik për biseda mbi ndryshimin e kufijve
-
Jovanoviq: Vuçiqi është dashur të thotë se Serbia e njeh Kosovën
-
Jovanoviq : Vuçiqi ka detyrim të dalë me plan të qartë për Kosovën