Arbëri

Jep dorëheqje Bordi për trajtim jashtë spitaleve publike

Ka dhënë dorëheqje Bordi për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka mësuar KOHA.

Siç bëhet e ditur, kryesuesja e bordit, Kadrije Sherifi, dhe anëtarët e bordit, Arben Grazhdani, Vildane Goga, Fakete Haziri dhe Semra Mecihan të martën kanë dorëzuar dorëheqjen. Mësohet se bordi në dorëheqje ka shprehur ankesa për drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Është ankuar për presion.

Vetë Plakiqi ka thënë se s’është në njohuri për dorëheqjen e bordit ndërsa ka mohuar problemet e mundshme mes palëve. Ka thënë se kompetencat e tyre janë të ndara.

Anëtari i bordit, Arben Grazhdani, ka refuzuar të japë detaje për dorëheqjen vetëm se e ka konfirmuar largimin.

Ky bord ka për detyrë miratimin e pagesave për trajtim jashtë vendit dhe jashtë institucioneve shëndetësore publike. Përbëhet nga njerëz të deleguar. Janë emëruar në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Arben Vitia.

KOHA ka disa javë që raporton për problemet që lidhen me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

LEXO EDHE: 

Sigurimet shëndetësore ende larg, 600 mijë euro qira

Borxhi i spitaleve private ndaj FSSH-së, së paku 1.3 milionë euro

Latifi u takua me përfaqësuesit e kompanisë që dyshohet se jashtëligjshëm “rekruton” pacientë

Kryesuesja e bordit dhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë të paqasshëm në thirrjet e KOHËS të mërkurën në mëngjes.