Arbëri

Sigurimet shëndetësore ende larg, 600 mijë euro qira

Descriptive Text

Prej vitit 2018, Fondi i Sigurimit Shëndetësor është pavarësuar si institucion. Megjithatë, sigurimet shëndetësore nuk janë as afër realizimit. Por, për këto vite janë shpenzuar mbi 600 mijë euro qira për një objekt privat që shërben si zyrë e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë as këtë vit buxhet për ndërtimin e objektit për Fondin

Gjatë katër vjetëve të fundit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka paguar qira për një objekt më shumë se 600 mijë euro. Në dy vjetët e parë ka paguar qira rreth 14 mijë e 600 euro për muaj, e prej vitit të kaluar qiraja ka rënë në 13 mijë e 100 euro.

Kontrata është pesëvjeçare dhe do të skadojë në shkurt të vitit të ardhshëm. Deri atëherë, shuma totale për shfrytëzimin e këtij objekti banesor do të arrijë në gati 850 mijë euro.

Ndonëse KOHA ishte tek objekti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, askush nga ky institucion nuk ka pranuar të deklarohet, por kanë dhënë përgjigje me shkrim.

Në këtë institucion deklaruan se kanë pasur në plan që të fillojnë ndërtimin e objektit në vitin 2020, porse për shkak të pandemisë, një iniciativë e tillë nuk është vazhduar. Ndërkaq, nuk kanë treguar një arsye që në vitin 2022 ndërtimi i këtij objekti nuk është përfshirë fare në buxhet.

“Gjatë vitit 2020-21 në planin e punës kishim paraparë fillimin e ndërtimit të objektit të Fondit pas përfundimit të procedurave të prokurimit, por për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, dhe me njoftimin e Thesarit të Kosovës për mosinicim të procedurave të prokurimit për projekte te reja si dhe me rishikim të buxhetit për vitin 2020 buxheti për projektin kapital, ndërtimi i objektit të Fondit është zbritur dhe nuk kemi arritur të fillojmë procedurat e prokurimit, kurse në vitin 2022, përkundër kërkesave tona, nuk kemi pranuar ndarje buxhetore me Ligjin e Buxhetit për vitin 2022”, thuhet në përgjigje të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Sipas një parallogaritjeje, vlera e këtij objekti do të jetë rreth 3.5 milionë euro.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë treguar se kur do ta ndajnë buxhetin për këtë projekt. Janë arsyetuar se tash Fondi është institucion i pavarur nga ta.

Planet për ndërtimin e objektit janë të vjetra.

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësia ndau më shumë se 32 mijë euro për një kompani projektuese për punimin e projekt-dizajnit për ndërtesën e Fondit. Paratë i janë paguar kësaj kompanie, e edhe dizajni për objektin është punuar.

Një gjë e tillë konfirmohet në përgjigjen e Fondit.

“Sipas kontratës së nënshkruar më datën 10.09.2019 dhe aneks-kontratës të nënshkruar më datën 05.12.2019 për projektim të objektit, Fondit, ky projekt është përfunduar dhe është paguar nga buxheti i shtetit”, thuhet në përgjigjen e Fondit.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor planifikohet që të jetë institucioni kryesor për zbatimin e sigurimeve shëndetësore. Ndonëse pritet që të kryejë shumë funksione, për momentin, rol kryesor e ka dërgimin jashtë vendit të pacientëve që nuk mund të trajtohen në Kosovë. Deri në vitin 2018, shërbimet për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë.