Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndërrohet Bordi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike

Është themeluar Bordi i ri për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike në përbërje prej pesë anëtarësh, me vendimin e së mërkurës, të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Milazim Gjocaj nga Ministria e Shëndetësisë do të jetë kryesues i Bordit, ndërsa Lulzim Uka e Hyra Bashota nga kjo ministri do të jenë anëtarë. Anëtarë janë zgjedhur edhe Shefkije Shatri e Xhevdet Latifi nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në mes të majit, pati dhenë dorëheqje bordi i mëhershëm. Siç ishte bërë e ditur, dorëheqja ishte dorëzuar pasi Bordi ishte ankuar në drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për presion. Vetë drejtori, Fatmir Plakiqi, pati mohuar problemet. Megjithatë, dorëheqja s’ishte pranuar nga ministri Rifat Latifi.

Ky bord ka për detyrë miratimin e pagesave për trajtim jashtë vendit dhe jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Për disa javë KOHA pati raportuar për problemet që lidheshin me trajtimin e pacientëve jashtë vendit dhe institucioneve shëndetësore publike. Hulumtimi ka argumentuar që procesi i dërgimit për trajtim jashtë QKUK ka probleme qysh në hallkën e parë që janë spitalet publike. E Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka asnjë kontroll mbi këtë program. Kjo ka bërë që shumë herë spitaleve private t’u paguhen faturat me çmime abuzive.

Image