LAJMET E MBRËMJES

Zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që trajtohen jashtë institucioneve publike

Është nënshkruar udhëzimi i ri administrativ për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se me udhëzimin e ri janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat, nëpërmjet të cilave do të përkrahen financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore. Sipas Ministrisë, është zgjeruar edhe gama e shërbimeve për pacientët.

Pas gjashtë vjetësh, Ministria e Shëndetësisë ka reviduar udhëzimin administrativ për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Dokumenti i nënshkruar në vitin 2017 ka qenë baza e vetme ligjore për t’i rregulluar pagesat për shërbimet që nuk ofrohen në institucione publike në Kosovë.

E të mërkurën, Ministria ka njoftuar se është nënshkruar udhëzimi i ri që zgjeron gamën e shërbimeve për pacientët.

“Në këtë UA janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat, nëpërmjet të cilave Qeveria e Republikës së Kosovës do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore. Me UA Nr: 03/2023, përveçqë zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, evitohen zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në Ministri bënë të ditur se me udhëzimin e ri është thjeshtësuar edhe procedura e aplikimit.

“Me UA Nr: 03/2023 parashihet për herë të parë Komisioni për përcaktimin e çmimeve referente që është kompetent të propozojë përditësimin e shtojcës së çmimeve referente, ku përfshihen sëmundjet, gjendja dhe procedurat për mbështetje nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike. UA Nr: 03/2023 ka thjeshtuar edhe procedurat e aplikimit për qytetarët, ndërsa referimi dhe përgjegjësia do të jenë te profesionistët shëndetësorë kompetentë, të cilët rekomandojnë trajtimin jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për mangësitë e udhëzimit administrativ të deritashëm, në lidhje me mospërfshirjen e disa patologjive që nuk trajtohen në QKUK dhe në spitale publike.

E përmes një serie të gjatë hulumtimesh të realizuar në vitin e kaluar, janë faktuar keqpërdorimet me buxhetin e dedikuar për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike.