Një kriter i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për trajtimin jashtë vendit ka lënë shumë pacientë pa mbështetje financiare, duke ua vështirësuar qasjen në shërbime që nuk ofrohen në Kosovë. Por, pas ankesave të shumta në këtë institucion ka thënë se tash janë duke punuar në ndryshimin e këtij kriteri.
Udhëzimi administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike i miratuar në vitin 2023 po krijon vështirësi të mëdha për pacientët.
Sipas këtij udhëzimi, pacientët nuk përfitojnë mbështetje nga fondi pa tri profatura nga shtete të ndryshme, edhe kur trajtimi nuk ofrohet në QKUK.
Shefki Hyseni, familjar i një pacienti, ka deklaruar se për shkak të pamundësisë për të siguruar tri profatura, një nga familjarët e tij është detyruar të heqë dorë nga kërkesa për mbështetje nga fondi.
“E kam pas djalin e motrës, i cili është referuar për trajtim jashtë vendit, por për shkak se nuk na u është dhënë shuma e saktë e operimit dhe na është kërkuar t’i kemi tri fatura nga spitalet, nuk kemi arritur të përfitonim mbështetje nga Fondi. Ato fatura nuk i lëshonin dhe nuk kishim asnjë mundësi t’i siguronim. Gjendja e tij po përkeqësohej dhe nuk kishim kohë të prisnim, andaj u detyruam të kërkonim ndihmë nga bamirësit dhe ta realizonim vetë operimin. Pas kësaj nuk jemi lajmëruar më as në Ministri e as në Fond”, tha Hyseni.
Nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore kanë pranuar se këto vështirësi po i hasin shumë pacientë dhe se numri i rasteve të tilla gjatë ditës është i madh.
“Realisht, këto sfida që po i përmend ti, ne përballemi me to në baza ditore dhe realisht me shumë të drejtë janë të ngritura, por janë kritere të udhëzimit administrativ. Llogaritet me i pasë tri profaturat për me ditë me nxjerrë mesataren, profatura të shteteve të ndryshme, në mënyrë që mbulueshmëria financiare me kanë e përafërt me njëra-tjetrën. Unë e di se është problem, por nuk ka bazë ligjore ndryshe”, tha Amir Keka, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ndërkohë në Ministrinë e Shëndetësisë janë arsyetuar se janë duke punuar në ndryshimin e udhëzimit dhe në zgjerimin e listës së diagnozave që nuk ofrohen në QKUK.
“Referuar vështirësive të paraqitura në raste të tilla, MSh në bashkëpunim me FSSH është duke bërë plotësim/ndryshimin e UA aktual, ku, ndër të tjera, ndryshimi kryesor pritet të jetë zgjerimi dhe kostimi i listës së diagnozave/procedurave që aktualisht nuk ofrohen nga klinikat e QKUK-së, ndryshim ky që do të eliminonte kriterin e tri profaturave për një numër të madh të shërbimeve shëndetësore, si dhe lehtësime në kompletim të dokumentacionit për rastet e rralla që nuk janë paraparë nga QKUK-ja në listën përkatëse”, tha MSH.
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, thotë se sigurimi i tri profaturave është shumë i vështirë, pasi shumica e institucioneve prestigjioze në vendet evropiane nuk lëshojnë dokumente të tilla.
Sipas tij, kjo situatë po i orienton pacientët drejt institucioneve në Turqi që kanë zyra në Kosovë, duke u bërë pre e bizneseve ndërmjetësuese të jashtëligjshme.
“Do të ishte shumë e rëndësishme që këto profaktura të eliminohen dhe po ashtu është çështja tjetër që këto profaktura, ndonjëherë në shumë raste, mund të jenë të fryra, e kjo e rrezikon edhe pjesën e buxhetit, si te rasti i pacientit ashtu edhe te ajo pjesë që e mbulon Ministria e Shëndetësisë. Prandaj është me rëndësi që MSH të kontraktojë shërbime të caktuara nga institucione jashtë vendit, qoftë në Turqi apo vende evropiane, kjo do ta lehtësonte jashtë mase edhe procedurën e pacientit”, tha Vitija.
KOHA ditë më parë kishte raportuar edhe për rastin e Bashkim Baftirit, një pacient me aftësi të kufizuara, i cili nuk kishte arritur të siguronte këto profatura, edhe pse trajtim nuk ka mundur të gjente në klinikat e QKUK-së dhe ishte referuar për trajtim jashtë vendit.