Arbëri

Auditori nuk i evidentoi me kohë shkeljet në Fondin Shëndetësor, Murati kërkon auditim të sërishëm

Zyra Kombëtare e Auditorit disa herë i bëri auditime Fondit të Sigurimit Shëndetësor, por asnjëherë nuk evidentoi probleme të mëdha financiare. Megjithëkëtë, Ministria e Financave doli me konstatimin e kundërt dhe me anë të një vendimi, kërkoi që Zyra e Auditorit të ndërmarrë auditim të sërishëm. E ministri Hekuran Murati rekomandoi që hetuesia të merret seriozisht me keqmenaxhimin në këtë institucion

Ministria e Financave konstatoi probleme të shumta financiare në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, në veçanti te Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike.

Analiza e Ministrisë, e bërë pas hulumtimit të KOHËS rreth programit, evidentoi gjashtë shkelje në menaxhimin e Programit për Trajtim Jashtë Vendit. Pas përpilimit të konkluzioneve, ministri Hekuran Murati nxori një vendim që e përfshin konstatimin se ekzistojnë mospërputhje në mes të shifrave të deklaruara nga Fondi dhe atyre reale.

“Konstatohet mospërputhshmëria, si pasojë e mosraportimit të detyrimeve kontingjente nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore që rrjedhin nga zbatimi i Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Financave.

Në vendim kërkohet edhe angazhimi i Zyrës Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm për hetimin e dallimeve në shifra.

“Kërkohet nga Auditori i Përgjithshëm që të kryejë hetimet për mospërputhshmërinë e konstatuar, sipas pikës 2 të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e MF-së.

Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm e pati audituar rregullisht Fondin e Sigurimit Shëndetësor, porse, megjithëse merret me pasqyrat financiare, nuk kishte evidentuar asnjërën nga shkeljet që i ka dëshmuar KOHA.

Që nga e premtja e shkuar, KOHA i dërgoi pyetje Zyrës për të mësuar se si është e mundur që në auditime, menaxhimi në këtë institucion ka rezultuar i mirë, ani se borxhi është rreth 32 milionë euro. Pyetje janë dërguar edhe mbi raportimin e bazuar në burime të KOHËS se një ish-auditor i ZKA-së ishte angazhuar si këshilltar i ish-drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Fatmir Plakiqi. Porse në asnjërën prej tyre nuk ka marrë përgjigje.

Por të mërkurën, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, auditorja e përgjithshme, Vlora Mehmeti-Spanca, tha të mos jetë e sigurt nëse auditorët i trajtuan në raportet e kaluara çështjet e fletëzotimeve të pacientëve për trajtim jashtë vendit.

“Fletëzotimet jepen në bazës të faturave dhe fatura finale mund të jetë më e ulët. Nuk jam e sigurt nëse e kemi trajtuar në këtë aspekt, mirëpo pasi që është ngritur edhe në media e emisione të ndryshme. Kërkesa ka ardhur nga Ministria e Financave dhe ne do ta trajtojmë këtë çështje me kujdes. Besoj që do ta kemi përfundimin me rastin e përfundimit të raportit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, ka thënë Mehmeti-Spanca.

E ministri Murati tha se me çështjen do të duhej të merrej më seriozisht hetuesia.

“Sa i përket Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, besoj i keni parë raportimet, ka pasur raportime edhe nga ju, por ka pasur edhe raporte të Auditorit, por edhe një auditim që është kërkuar tash besoj i nxjerr në pah shumën e borxheve të papaguara apo të obligimeve në të cilat Fondi ka hyrë pa mbulesë. Pra, bëhet fjalë për shifra të larta, mirëpo me këtë pikë së pari do të duhej të merreshin organet e rendit”, ka thënë ministri Hekuran Murati.

KOHA raportoi me anë të një serie shkrimesh, të bazuara në dokumente zyrtare, mbi keqpërdorimet e shumta në Fond me referimin e pacientëve për shërim jashtë vendit.

Shkrimet u pasuan me shkarkimin e menaxhmentit të Fondit. Menaxhmenti i mëhershëm pretendonte se borxhi kap vlerën prej rreth dy milionë eurosh, teksa drejtori i ri konfirmon se detyrimet e Fondit ndaj spitaleve private arrijnë në mbi 30 milionë euro.