Arbëri

Janusz Bugajski – zë i lirisë dhe denoncues i iluzioneve të Serbisë

Janusz Bugajski

Është ndarë nga jeta, një prej analistëve amerikanë me njohje të thellë të Ballkanit dhe raporteve Kosovë-Serbi. Në moshën 71-vjeçare, ka vdekur Janusz Bugajski. Në analizat e tij, ai ka paralajmëruar se iluzioni për Serbinë e madhe ende gjendet te qarqet zyrtare të Serbisë dhe ka paralajmëruar se Vuçiq konsideron se Kosova mund të pushtohet sërish. Ka qenë edhe kritik i ndërkombëtarëve

Ka vdekur në moshën 71-vjeçare analisti i njohur amerikan me origjinë polake, Janusz Bugajski, njohësi i çështjeve euroatlantike dhe Ballkanit, si dhe mbrojtës i demokracisë e lirisë së shtypit. Ai në shumë analiza ka alarmuar për synimet e Serbisë për ta pushtuar Kosovën dhe ka kritikuar Perëndimin për politikë të gabuar, në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë karrierës së tij, Bugajski ka bashkëpunuar me institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe ishte analist i rregullt në Zërin e Amerikës (VOA).

Ai ka qenë njohës i mirë i çështjes së Kosovës dhe për një kohë edhe kolumnist i “Kohës Ditore”.

Në 2007-n, kur gazeta mbushi 10 vjetët e parë, në Monografi Bugajski solli në kujtesë që në gjuhën e tij të parë amtare, polonishten, fjala “kohë” në të vërtetë do të thotë “dashuri”. Prandaj, tek kishte përdorur këtë simbolikë, pati shkruar se “për dashuri gjithnjë ka nevojë”.

Publicisti Veton Surroi e quajti Bugajskin “zë i lirisë për popujt e Evropës”.

Bugajski ka shkruar para, gjatë dhe pasluftës për Kosovën.

Edhe në vitet e fundit, ai i ka kushtuar rëndësi raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka qenë kritik ndaj Perëndimit për qasjen që ka ndjekur në këtë proces.

Bugajski ka paralajmëruar se iluzioni për Serbinë e madhe ende gjendet te qarqet zyrtare të Serbisë dhe se Aleksandër Vuçiq, me mbështetjen e Rusisë, përpiqet të realizojë projektin e Millosheviqit. Ai ka paralajmëruar se Vuçiq konsideron se Kosova mund të pushtohet sërish nga trupat serbe.

Analisti amerikan ka qenë edhe kritik i ndërkombëtarëve. Ai ka shkruar se SHBA-ja dhe BE-ja kanë ndezur fitil ballkanik me presionin ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit, ndërsa në 2023-tën i ka dhënë mesazh emisarit të asaj kohe të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se “Beogradi dhe Moska po ju marrin për budallenj”.

Bugajski ka insistuar se vetëm nëse Serbia njeh pavarësinë e Kosovës, normalizohen marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Të shtunën, lajmin për vdekjen e tij e ka bërë publik ish-drejtori i VOA-s për Evropë dhe Euroazi, Elez Biberaj.

“U trondita dhe u pikëllova thellë kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, një autor prolifik, botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin dhe një avokat i qëndrueshëm për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit”, ka shkruar Biberaj në rrjete sociale.

E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkroi se intelekti i Bugajskit, krahas integritetit profesional, e bën atë figurë të respektuar në mesin e studiuesve dhe analistëve ndërkombëtarë.

“Si hulumtues i mirë i çështjeve të Ballkanit, kontribuoi me shkrime e analiza në rritjen e vetëdijes rreth situatës në rajon përgjatë disa dekadave”, shkroi Kurti. “Janusz Bugajski është figurë e cila do t’i mungojë librit, medias, rrethit të intelektualëve dhe të gjithë neve”.

Bugajski ka qenë autor i një sërë librash dhe analizash mbi politikën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në zhvillimet në Ballkan, NATO dhe marrëdhëniet transatlantike.

Bugajski u lind më 23 shtator 1954, në Nantëich, Cheshire, Angli.