Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike thotë se kriza në Kosovë nuk do të zgjidhet shpejt, por do të vazhdojë një kohë të gjatë.
“Gjëja më e rëndësishme për mbijetesën e paqes së paqëndrueshme është zgjidhja e problemeve të paraushtarakëve, kriminelëve, lirisë së lëvizjes dhe lëvizjeve të njëanshme”, tha Janjiq, raporton “Danas”.
Ai ka thënë se në komunat veriore të Kosovës duhet të mbahen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve.
Të martën në rundin e radhës të bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur.
Mirëpo, nuk pati një dakordim në lidhje me drafstatutin e Asociacionit të komunave serbe të cilin e prezantoi Ekipi Menaxhues.
Edhe
Dushan Janjiq: Destabilizimi i Serbisë do ta përfshinte edhe rajonin
Përkundër kësaj, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, tha se është bërë hap drejt formimit të Asociacionit.
“U prezantua udhërrëfyesi për kthimin e serbëve në institucione të Kosovës. Siç kemi dëgjuar nga presidenti Vuçiq, nuk është arritur marrëveshje për këtë, por ai është i gatshëm të ulet sërish me Kurtin pas tri-katër ditësh dhe të bisedojë. Por, le të jemi të drejtpërdrejtë, po flasim se si të dalim nga vakumi institucional dhe i sigurisë që u krijua kur Lista Serbe u largua nga institucionet”, tha Janjiq.
Ai thotë se derisa po vazhdohen bisedimet për kthim të serbëve në institucione gjyqësore dhe politike, po ndodh ndryshimi i flamujve në stacione policore dhe hapja e urës.
“Hapja e urës mes Mitrovicës veriore dhe jugore ishte planifikuar më herët, por nuk ishte koha e duhur. Ka një kuptim më simbolik dhe përkujtim të kohërave të tmerrshme”, tha Janjiq, ndërsa shtoi se atë “mund të përdorin formacionet paraushtarake nëse ekzistojnë në anën serbe”, me vërejtjen se “duhet të pastrohet”.
Janjiq ka thënë se si Vuçiqi ashtu edhe Kurti po ndjekin një politikë zvarritjeje, si dhe të dy “po blejnë kohë”.
Duke komentuar deklaratën e Kurtit se drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Janjiq ka thënë se kryeministri i Kosovës po e sajon këtë.
Edhe
Kurti kushtëzon kthimin në dialog me dorëzimin e Radoiçiqit
I pyetur se kur do të përfundojnë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, Janjiq, tha në shaka se kur nisin negociatat ai i kishte flokët e zeza, ndërsa tash i janë thinjur.
“Shpresoj që kjo të mos ndodhë me përfaqësuesit e Beogradit e Prishtinës”, tha Janjiq.