Arbëri

Janjiq: Vuçiq po llogarit shumë në shtetet e BE-së

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd ka thënë se kërkesat që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka paraqitur të premten si parakushte për “dialog domethënës” do t’u ndihmojnë edhe ndërmjetësve të dialogut në Bashkimin Evropian, emisarit Miroslav Lajçak e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell. Sipas Janjiqit, Vuçiqi është duke llogaritur shumë që shtetet e BE-së do t’i bëjnë presion Kosovës për t’i pranuar kushtet.

Vuçiq ka prezantuar pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës. Në një konferencë për gazetarë, Vuçiqi krahas masave i ka shpalosur edhe shtatë kërkesa për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, si “parakushte të domosdoshme për përparim domethënës në dialog”. Në mesin e tyre, ai i ka renditur atë për shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian (BE), atë për kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës” dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar.

E sipas Janjiqit kjo ka qenë vendosje e parakushteve për takime të ardhshme në dialog. Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se Vuçiqi nuk do të marrë pjesë në takime në Bruksel pa zbatimin e këtyre kërkesave, por se mund të ketë takime në nivel kryenegociatorësh.

Ai ka thënë se sipas Vuçiqit, ka pritje që BE-ja ta detyrojë Kosovën t’i zbatojë parakushtet.

“Sipas Vuçiqit, këto parakushte do të mbështeten fuqishëm nga aktivitetet diplomatike të Serbisë, duke pritur kështu që Bashkimi Evropian do ta detyrojë Qeverinë e Kosovës për t’i zbatuar këto parakushte. Por nëse e përmbledhim, parakushtet e tij janë më shumë për rikthimin e serbëve në institucione të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Dhe këtë gjë nuk e di se pse do të zbatohej, por për mua mbetet një pyetje që është shumë serioze: Pse nuk e ka kërkuar më herët këtë nga Qeveria e Kosovës në dialog rreth rikthimit të serbëve? Mendoj se Vuqiqi duhet të kërkojë gjëra të tilla për shkak të opinionit të brendshëm, sepse opinioni në Serbi do të ishte kundër tij nëse nuk do të kërkonte një gjë të tillë. Dhe, kjo ishte prognoza ime për këtë pikë”, ka thënë Janjiq. “Sidoqoftë, Vuciqi është duke llogaritur shumë në shtetet e BE-së, në Komisionin Evropian dhe ai do t’iu thotë këtyre shteteve se pa zbatimin e  këtyre shtatë pikave ai nuk mund të bëjë asgjë në Serbi për t’i zbatuar pikat e tjera të rëndësishme të dialogut”.

Sipas Janjiqit, me vënien e parakushteve Vuçiqi u ka ofruar ndihmë ndërmjetësve pasi “ka treguar se e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit”.

“Këto janë vërtet parakushte dhe  do të jenë ndihmesë edhe për Lajçakun dhe Borrellin. Sepse me këto kushte Vuiçiqi qartazi po tregon se  e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit drejt normalizimit dhe atë të Ohrit. Sepse ai tha sot se ai nuk është kundër asgjëje që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Por, siç e dini, për opinion publik dhe partinë e tij, ai do ta shtyjë këtë rrëfim në parlament dhe takimi i radhës në parlament, sipas Vuçiqit, është i planifikuar në 45 ditët e ardhshme”, ka thënë tutje ai.