Arbëri

Shala i PSD-së: Kushtet e Vuçiqit, sinjal se do të themelohet Asociacioni

azdren shala

Azdren Shala i Partisë Socialdemokrate ka thënë se kërkesat e prezantuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paraqitura si parakushte për “dialog domethënës”, janë sinjal për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në “Interaktiv” të KTV-së, Shala ka thënë se të gjitha kushtet e paraqitura nga Vuçiqi janë për t’i dhënë formë Marrëveshjes së Brukselit.

Vuçiq ka prezantuar pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës. Në një konferencë për gazetarë, Vuçiqi krahas masave i ka shpalosur edhe shtatë kërkesa për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, si “parakushte të domosdoshme për përparim domethënës në dialog”. Në mesin e tyre, ai i ka renditur atë për shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian (BE), atë për kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës” dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar.

“Kushtet janë sinjal, paralajmërim – që Vuçiqi e ka të qartë që është afër – janë parakushtet që në Kosovë do të themelohet asociacioni dhe ai e di që aktualisht pozicioni i Serbisë është shumë i favorshëm”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar po ashtu se nëse bashkësia ndërkombëtare shton presionin që të ketë zgjedhje të reja në komunat në veri, atëherë “kjo do të bëhet”. Kërkesa që policët dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë të kthehen në vende pune, sipas Shalës, është për t’i dhënë formë Marrëveshjes së Brukselit.

“Këto kushte, më shumë se për gjendjen e tanishme, janë paralajmërime se kjo është forma se si do të duket Asociacioni. Nëse jo sot, nëse jo muajt e ardhshëm, kurdo që të themelohet Asociacioni do t’i shohim të jetësuara dhe kjo është forma se si do të jetë Asociacioni. Është marrëveshje, produkt politik që Kosovës praktikisht ia betonon ndarjen dhe serbëve ua jep autonominë. Kur ua jep serbëve autonominë, ua jep Serbisë. Ata do të jenë instrument të Vuçiqit e s’do të jenë kurrë të çliruar nga Beogradi”, ka thënë ai.