Arbëri

Tranzicioni në veri rrit pritjet për heqjen e masave të BE-së

Një ditë pas dorëzimit të pushtetit në komunat veriore, në Prishtinë janë shprehur pritjet për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Njohës të çështjeve politike vlerësuan se me zhvillimet e fundit, Kosova ka plotësuar kushtin për heqjen e tyre, por u shprehën skeptikë nëse kjo mund të ndodhë para formimit të qeverisë së re. Urgjencën për heqjen e masave e ka theksuar edhe presidentja Vjosa Osmani

Me inaugurimin e kryetarëve serbë në komunat e veriut, Kosova ka përmbushur kushtin kryesor të Bashkimit Evropian për heqjen e masave.

Ato u vunë tre vjet më parë shkaku se u vendosën në zyrat komunale kryetarët shqiptarë, të cilët u zgjodhën në procesin elektoral që u bojkotua nga serbët.

Analisti Arbnor Sadiku thotë se transferimi i rregullt i pushtetit lokal në veri, i bërë një ditë më parë, ka peshë në vendimmarrjen që nuk pret të ndodhë shpejt.

“Kjo është një pikë kthese le të themi. Do të thotë që mund t’i ndihmojë le të themi heqjes së masave apo sanksioneve në thonjëza nga Unioni Evropian, megjithatë kjo do të varet shumë edhe nga qeveria e ardhshme se cili do të jetë raporti i saj më komunitetin serb veçanërisht në pjesën veriore”, ka thënë Sadiku.

Por, njohësi politik Mazllum Baraliu, vlerëson se BE-ja duhet të veprojë pa vonesë.

“Mendoj që është momenti i fundit që Bashkimi Evropian të mos kalkulojë siç di të kalkulojë dhe të mos vonohet siç di të vonohet dhe të zvarrisë duke u sjellë në mënyrë burokratike, por duhet t’i heqë masat menjëherë”, është shprehur Baraliu.

Inaugurimin e autoriteteve të reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen.

E, urgjencën për heqjen e masave e ka theksuar presidentja Vjosa Osmani, në takimin me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guérot, të premten.

“Në takimi u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot. Presidentja theksoi urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në BE nuk u përgjigjën në pyetjet e KOHËS nëse pas zhvillimeve në veri do të ketë heqje të plotë të masave.

As në Qeveri nuk treguan nëse, për këtë, është zhvilluar ndonjë komunikim me Brukselin zyrtar.

Analisti Arbnor Sadiku thotë se lëvizja nga BE-ja mund të pritet tek në fillim të vitit të ardhshëm.

“Pa themelimin e një qeverie të re nuk konsideroj që mund të ketë ndonjë vendim nga Unioni Evropian pasi ne tani vetëm po kalojmë në kohën e festave, kërkohet që të mblidhen institucionet e Unionit Evropian dhe të votohet për këto gjëra. Prandaj konsideroj që tek pas themelimit të Qeverisë së re që mund të ndodhë në janar të 2026 apo shkurtin e 2026”.

Por, Mazllum Baraliu insiston se hapa konkretë duhen marrë para zgjedhjeve nacionale.

“Do të duhej pikërisht tash, menjëherë në frymën e efikasitetit, para zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të duhej të hiqeshin masat sepse ato e di Bashkimi Evropian që pa asnjë bazë, pa asnjë të drejtë janë vënë dhe e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë ekonominë e Kosovës, bashkëpunimin ndërkombëtar, marrjen e kredive, nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme të rëndësisë së dorës së parë, vitale pra”.

Këtë vit, Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e masave ndëshkuese kundër Kosovës. Ministrat e Jashtëm të BE-së i sugjeruan gjithashtu Komisionit Evropian heqjen graduale të tyre. Largimi simbolik i tyre ka nisur, e në raportin e sivjetmë për Kosovën, Komisioni ka shprehur qëndrimin se heqja e mëtejme do të ndodhë nëse një transfer i rregullt i qeverisjes në veri do të arrihet dhe nëse deeskalimi i situatës do të jetë i qëndrueshëm.