Shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri ka thënë se konsumi i shumë informacioneve ka ndryshuar mënyrën e jetesës.
Sipas tij, faktori kryesor i shkallës së lartë të përdorimit të mediave është edhe zhvillimi i teknologjisë.
Ai ka thënë se kjo ka krijuar konsumim shumë të madh të informacionit.
“Sot kemi një vërshim të atyre që prodhojnë përmbajtje mediale. Ne si departament në kuadër të lëndës edukimi medial, kemi bërë një hulumtim me nxënësit e klasës 5-9, dhe perceptimet që kemi pasur janë vërtetuar përmes këtij hulumtimi. Fëmijët tanë, mosha të mitur, i posedojnë të gjitha rrjetet sociale. Mbi 95 për qind e fëmijëve, korrespodentë, kanë telefona të mençur. Shqetësim tjetër është edhe fakti që shumica e të rinjve ngopen me informata të parëndësishme dhe biseda të panevojshme. Mbi 60 për qind e të rinjve që i kemi pas pjesë të hulumtimit kanë deklaruar se kohë pas kohe komunikojnë me njerëz të panjohur në rrjete sociale, dhe janë mbi 10 për qind e tyre që janë përgjigjur që kanë pranuar të takohen me këta njerëz edhe pse nuk i kanë njohur më parë”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse kjo përkthehet në numër të nxënësve, mbi 2000 nxënës mund të jenë viktima të takimeve me të panjohur të cilët mund të kenë qëllime të këqija.
Beqaj: Nevojitet monitorim më i mirë i rrjeteve sociale e edukim medial digjital
Adea Beqaj, zyrtare e Programit të “NDI” në Kosovë, ka deklaruar se nevojitet monitorim më i mirë i rrjeteve sociale në vend për të parë se kush janë dezinformuesit dhe ata që keqinformojnë.
Edhe
Rrjetet sociale burim kryesor i informimit te të rinjtë në SHBA, televizioni te të moshuarit
Duke folur për tejngopjen informative në emisionin “EDU MEDIA” të KTV-së, Beqaj ka shtuar se vendi ka nevojë edhe për edukim medial digjital.
Sipas saj, ndonëse ka përmirësime, Kosova nuk qëndron mirë sa i përket edukimit medial.
“Ndoshta nuk do ta kisha quajtur kontroll, por një lloj monitorimi më të mirë të rrjeteve sociale, si nga ana e mediave kredibile tradicionale, të cilat me ndryshimet teknologjike edhe ato janë bërë pjesë dhe po plasojnë informata edhe në rrjete sociale e në platforma të ndryshme, duke vazhduar kështu te puna më e madhe me shoqërinë civile, që po ashtu ka të bëjë me monitorimin për të parë se ku janë problematikat, kush janë dezinformuesit, ata që po keqinformojnë dhe pika e tretë është edukimi medial. Duhet të ketë një filtër se ku po e marrim informatën, cili është burimi që ne informohemi. Duhet të kemi njohuri të mjaftueshme sa i përket mediave dhe po ashtu duhet të kemi edukim medial digjital sepse problematikat kryesore nuk është se janë të reja, por me daljen në pah të teknologjive të reja, është të dimë se ku po e marrim informatën”, ka thënë ajo.