Kërkesa e Vetëvendosjes për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit Aida Dërguti, ka përplasur bashkëpartiakët e dikurshëm të Vetëvendosjes.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka ftuar Vetëvendosjen që të mos anatemojnë njerëz sepse po t’i hap letrat ai, ish partisë së tij nuk do t’i pëlqej aspak.
Madje, ka ftuar që të debatojnë në Kuvend, meqë në emisione televizive nuk po shkojnë. Ai iu ka thënë deputetëve të VV-së që t’i lënë lojërat.
“Leni lojërat se nuk është fer të anatemoni njerëz si Aida e të tjerë që i keni pasur për 12 vjet shokë, e nëse po doni të hini në këtë lojë atëherë po iu them në Kuvend atëherë i çelim krejt, krejt letrat i çelim bashkërisht, jo më fshehtas, se s’po vini në emisione, e keni dërguar vetëm Glaukun duke ditur që unë deri në atë ditë e kam respektuar Glaukun, sepse ka qenë konkret, i ndershëm. Po, Glauku e ka fituar debatin, urime, po Glauku e ka fituar debatin për shkak të respektit tim. Por nëse doni t’i shihni debatet, këtu në Kuvend se në emisione s’po vini, këtu në Kuvend haptash, ballë për ballë, krejt temat cilëndo. Thirrja ime është, kemi qenë shumë kohë bashkë, kemi bërë shumë të mira bashkë, edhe shumë të këqija bashkë, por tash jemi rupe të ndryshme politike”, tha Molliqaj.
Por, reagoj Konjufca, duke e cilësuar atë sikur Hashim Thaçi, dikur sa ishte në krye të Qeverisë.
“Me thanë të drejtën krejt paska harru qysh tingëllon Hashim Thaçi në Kuvend se moti s’ka qenë këtu që do vite me atë stilin, ‘Albin për ty kam diçka por mos me shtin me ta thanë se me ba unë me i shku deri në fund e dinë t’i çka të gjanë’. Përnime moti s’paskam pa këso diskursi, qesharak më të vërtetë. Unë mendoj që kjo foltore nuk është adekuate që njerëzit t’i shpalosin traumat e tyre prej debateve që i kanë pasur, në kuptimin që kjo e ka një dinjitet me të madh se ato komplekse t’i shpallë njeri këtu”, theksoi Konjufca.
Ndaj kësaj ka replikuar sërish Molliqaj, i cili e quajti shërbëtor deputetin Glauk Konjufca.
“Glauk, besoj që ka me na prapë me shku në emisione, e kam pësuar një traumë është e vërtetë, me njeriun që e kam vlerësuar më shumti se ka mashtruar në emision dhe e dinë shokët aty afër i ke marrë SMS-at. Po kam traumë në të vetmin emision publik e ka prej teje prej njeriut që e kam respektuar. Një shok i yti i ngushtë ka thënë se Glauku është i mirë, por pa dinjitet. Kjo është e vërteta që ke treguar në këtë betejë por është problem i yti. Po more, unë jam edhe si Hashimi, edhe si Kadria, edhe si Ramushi, edhe si Albini, herë si njëri herë si tjetri, por nuk i shërbej askujt. Ia ke pas thënë njërit që je sahanlëpirës, por unë ty s’po të them Glauk, por je bërë shërbëtor Glauk”, u shpreh Molliqaj.
Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili në mënyrë ironike iu bëri thirrje partisë së tij, PDK-së dhe LDK-së që të mos përfitojnë nga kjo përçarje.
“Edhe partia jem edhe LDK-ja mos u mundoni të përfitoni prej përçarjes...”, u shpreh Veseli