Në selinë e LDK-së, pasdites e së enjtes ka arritur një letër nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Përmes kësaj letre, Kurti i ka kujtuar Mustafës, se ka të drejtë të shkarkojë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, post të cilin është duke insistuar ta ketë LDK-ja, raporton KTV.
Mirëpo për këtë, LDK-ja nuk do t’i ketë votat e Vetëvendosjes.
“Ju keni të drejtë të jeni penduar dhe të kërkoni nga Grupi Parlamentar i LDK-së që poashtu të pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë Kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Republikës, Galuk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z.Konjufca më 26 dhjetor 2019. Pra, përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa ta shkarkoni z.Konjufca, Por, unë nuk mund t’ju ndihmojë në këtë rrugë”, ka shkruar Kurti.
Ai paraprakisht i ka thënë Mustafës se nuk mund të kthehen mbrapa në kohë, derisa e ka ftuar që të mos sillet sikurse Kosova të ishte monarki absolute.
Edhe
LDK-ja do dorëheqjen e Konjufcës, Kurti thotë se mund ta inicojë shkarkimin e tij
“Kosova e pavarur është Republikë demokratike në Evropën e shekullit 21, dhe jo monarki absolute nga Evropa e shekujve të kaluar. Institucionet e Kosovës nuk janë mjete partiake a personale, por vlera shtetërore e demokratike. Ju lutem të hiqni dorë nga kjo mënyrë jodemokratike e veprimit politik. Ne të dy nuk jemi diktatorë, ne nuk bën të sillemi a veprojmë si të tillë”, thotë lideri i VV-së.
Ai e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, që t’i kthehet tavolinës së bisedimeve.
Por, këtë letër Mustafa nuk është duke e konsideruar zyrtare.
Në anën tjetër, komunikimin në distancë mes kryetarit të Vetëvendosjes e të LDK-së, njohësit e zhvillimeve në vend, janë duke parë si mungesë vullneti për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse.
Sipas analistit Imer Mushkolajt, Mustafa e Kurti duhet të gjejnë një mes tek dy ofertat që janë prezantuar.
Mushkolaj thotë se në arritjen e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, duhet të përfshihet edhe kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Edhe
Konjufca për formimin e institucioneve: Ka gatishmëri më të madhe nga LDK-ja
Por, analisti Artan Muhaxhiri, thotë se duhet të gjenden rrugë të tjera për dalje nga situata aktuale, pasi Vetëvendosje dhe LDK, nuk janë më të gatshme për të arritur koalicion.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, nuk janë takuar që nga e enjtja e javës së kaluar. Që të dy partitë, përmes Facebook, kanë bërë të ditur, ofertat e tyre për njëra tjetrën, oferta këto që deri më tani nuk janë pranuar nga asnjëra palë.