Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Mjekiqi, i është bashkuar ekipit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ku do të kontribuojë në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti, i cili ka thënë se Mjekiqi do të angazhohet në çështje që lidhen me rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe në zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon.
Sipas njoftimit, në takimin e tyre është diskutuar për prioritetet e Kosovës në proceset integruese, arritjet socio-ekonomike dhe forcimin e vlerave demokratike.
“Shqipe Mjekiqi ka përfunduar doktoraturën në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, ndërsa ka përfunduar masterin në politikat e Bashkimit Evropian në London School of Economics dhe studimet bazë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka përvojë të gjatë në institucionet publike të Kosovës në fushën e integrimit evropian dhe sigurisë, ndërsa aktualisht është profesoreshë asistente në UBT dhe konsulente në projekte zhvillimore dhe reforma institucionale”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Mjekiqi qe emëruar nënkryetare e LDK-së në vitin 2021, pak kohë pasi Lumir Abdixhiku kishte ardhur në krye të kësaj partie.
-
Kurti: Pashë vullnetin e LDK-së që vendit t'i sjellim një president të ri
-
Kurti mirëpret qëndrimin e Abdixhikut, fton PDK-në e Aleancën për president konsensual
-
Abdixhiku njofton aderimin e Astrit Deskut në LDK
-
Emri i kandidatit për president, Kurti dhe Abdixhiku kërkojnë konsultime brendapartiake
-
Kurti: Kur të kemi marrëveshje me LDK-në do të ketë edhe material për lajme