Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-kryetari i Supremes: Defektet më të mëdha janë te përpilimi i vendimeve gjyqësore

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se defektet më të mëdha në sistemin gjyqësor të Kosovës janë te përpilimi i vendimeve gjyqësore.

Hasani në emisionin Tempus në KTV ka thënë se ka shumë pak gjyqtarë e prokurorë që dinë të shkruajnë vendime.

“Defektet më të mëdha janë pikërisht në përpilimin e vendimeve gjyqësore. Ngase kredia e profesionalizimi i gjyqtarit varet nga ajo se çfarë zbardh apo shkruan në verdiktin gjyqësor. Na ka përcjellë ky lloj defekti thuajse në gjithë periudhën deri tash. Fatkeqësisht shumë pak ka lëvizur në aspektin e avancimit të përpilimit të vendimeve gjyqësore. Pa i gjeneralizuar, pa paragjykuar të gjitha vendimet, se ka përjashtime, por numër shumë i vogël i gjyqtarëve e edhe prokurorëve fatkeqësisht dinë të shkruajnë. Në këtë drejtim do trajnime të vazhdueshme përkundër faktit se në këtë drejtim është investuar dhe janë organizuar trajnime e konferenca të ndryshme, dhe nuk ka ndonjë rezultat të prekshëm në drejtim të avancimit të çështjes së përpilimit të vendimeve gjyqësore. Nuk po e them unë, por nëse i merrni raportet e progresit që kanë detektuar të meta në hartimin e vendimeve gjyqësore, edhe në aspektin struktor por më tepër në përpilim”, ka thënë Hasani.