Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rexhepi: Kundërkushtetues, vendimi i Qeverisë për përbërjen e re të Komisionit për provimin e juurisprudencës

Fejzullah Rexhepi

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit të deritashëm për dhënien e provimit të jurisprudencës, Fejzullah Rexhepi, e ka quajtur joligjor dhe kundërkushtetues, vendimin e Qeverisë për emërimin e përbërjes së re të këtij Komisioni. Vendimi është marrë të hënën në mbledhjen e Qeverisë, me arsyetimin se ka pasur ankesa ndaj Komisionit dhe mungesë transparence dhe profesionalizimi në arsyetimin e rezultateve.

Propozim vendimi është përcjell për votim në Kuvendin e Kosovës, por ka thënë se vlerëson që është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit”, thuhet në reagim.

Ai ka pretenduar se tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti dhe se arsyet e dhëna nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta dhe se “vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues”.

“E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisionit. Puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët. Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Ai ka vlerësuar se emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, “nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë”.

Ministrja e Drejtësisë Gërvalla në mbledhjen e Qeverisë të hënën ka thënë se propozim vendimi është rezultat i nevojës, siç ka theksuar ajo, urgjente, për të adresuar një sërë problemesh të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, të cilat ka thënë se kanë dëmtuar besueshmërinë e procesit.

“Nga numri i madh i ankesave që ka pranuar Ministria e Drejtësisë, rezulton nevoja për më shumë koinsistencë në praktikat e vlerësimit, zbatim më të unifikuar dhe adekuat të programit të provimit dhe të dispozitave përkatëse ligjore si dhe nivel më i lartë transparence dhe profesionalizimi në arsyetimin e rezultateve”, ka theksuar Gërvalla.

Përbërja e re e Komisionit e propozuar nga Gërvalla është, kryetar Arian Gashi, anëtarë Ersan Çavolli, Lumni Sallauka Arsim Hamzaj, Nita Prenaj-Krasniqi, Suada Hamza-Rama, Burim Shala, Nehat Çelaj, Bujar Muzaqi dhe Rrezarta Lleshaj.

Ndërkohë të martën deputetët e pushtetit në Komisionin për legjislacion në Kuvend, kënë kërkuar që në rend dite të futet edhe shqyrtimi i propozim vendimit të Qeverisë për përbërjen e re të komisionit për provimin e Jurisprudencës. Por, kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. 

Deputeti i PDK-së Përparim Gruda, që është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion, ka theksuar se vetëm në diktaturë ndodh që të shkarkohet komisioni i mandatar për provim të jurisprudencës pa një arsye individuale për secilin anëtarë, sepse sipas tij, nuk ka arsyetim kolektiv.

IKD: Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për provimi e jurisprudencës është i kundërligjshëm

15 min. më parë / 21 pri 2026 11:47
Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës është i kundërligjshëm, pasi thuhet se anëtarët aktualë kanë mandat deri në muajin dhjetor të këtij viti. 

Në një reagim në Facebook  IKD-ja ka vlerësuar se Qeveria nuk ka bazë ligjore për ndërprerjen e mandatit.

IKD-ja i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos e votojë vendimin që Qeveria e miratoi në mbledhjen e mbajtur të hënën.  

“Ky vendim cenon ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e Komisionit, ndërsa ngre dyshime edhe për konflikt interesi në përbërjen e re të propozuar. IKD i bën thirrje Kuvendit që të mos e votojë këtë vendim. Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij Komisioni”, thuhet në reagim.

Edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit të deritashëm për dhënien e provimit të jurisprudencës, Fejzullah Rexhepi, e ka quajtur joligjor dhe kundërkushtetues, vendimin e Qeverisë për emërimin e përbërjes së re të këtij Komisioni. 

Vendimi është marrë të hënën në mbledhjen e Qeverisë, me arsyetimin se ka pasur ankesa ndaj Komisionit dhe mungesë transparence dhe profesionalizimi në arsyetimin e rezultateve.