Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të Qeverisë së Kosovës gjatë vitit të kaluar ka hapur disa zyra për shërbime të qytetarëve, mirëpo deri tash ato mjaft pak po vizitohen nga qytetarët. Shoqëria civile ka kërkuar nga institucionet që të organizojnë kampanjë për sensibilizimin e qytetarëve lidhur me këto shërbime juridike falas
Në Komunën e Lipjanit dhe atë të Shtimes prej më shumë se një viti janë hapur zyra ligjore që ofrojnë shërbime juridike falas për qytetarët, por interesimi i qytetarëve vazhdon të jetë mjaft i vogël.
Këto zyra janë hapur nga Agjencia e pavarur për ndihmë juridike në kuadër të Qeverisë, të cilat ua lehtësojnë qytetarëve shërbimet juridike në procese të ndryshme gjyqësore.
Organizata joqeveritare YAHR që monitoron këto dy komuna ka shprehur shqetësime se institucionet nuk kanë bërë fushata promovuese për sensibilizim dhe njoftim të qytetarëve për këto shërbime.
“Kemi identifikuar se qytetarët nuk janë të informuar rreth kësaj agjencie që ofron shërbime juridike falas dhe kërkesat e qytetarëve drejtuar kësaj agjencie janë shumë të vogla. Andaj ne si shoqëri civile që merremi me mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkojmë që institucionet lokale dhe ato qendrore ta promovojnë ose t’i sensibilizojnë qytetarët për shfrytëzimin e mundësive”, ka thënë Bekim Krasniqi nga organizata “YAHR”.
Qëndrim Gashi, përgjegjës i Zyrës juridike falas në Lipjan dhe Shtime, tregon për ndihmën që mund të jepet.
“Shërbimet që i ofron kjo zyre janë këshillat juridike, përpilimi i shkresave të ndryshme juridike dhe përfaqësim ligjor. Këto ndihma ofrohen në katër fusha juridike: civile, penale, administrative dhe në atë të kundërvajtjes”, u shpreh Gashi, përgjegjës i zyrave juridike në Lipjan e Shtime.
Ai ka kërkuar nga komunat që t’i promovojnë këto zyra sa më shumë, në mënyrë që qytetarët të informohen rreth shërbimeve falas.
E zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyqi, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që t’i sensibilizojnë sa më shumë qytetarët dhe ta ndihmojnë këtë zyrë në të ardhmen, ashtu siç kanë ofruar kushte komode deri më tash.
“Kryesisht këto shërbime janë për raste sociale dhe për të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi financiare posaçërisht gratë e margjinalizuara mund të vijnë këtu dhe t’i drejtohen kësaj zyre dhe të mbrojnë të drejtën e tyre ligjore”, deklaroi Bytyqi.
Gjatë vitit të kaluar zyre të tilla për ndihmë juridike falas janë hapur edhe në shumë komuna të tjera të vendit.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.