Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Politizimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Rreth 70 për qind e qytetarëve i plotësojnë kriteret për të marrë ndihmë juridike falas nga shteti

Ndihma juridike është ndër aspektet më të rëndësishme të qasjes në drejtësi. Qytetarët e profesioneve të ndryshme, në baza ditore ballafaqohen me raste të ndryshme penale, civile dhe administrative. Në mungesë të njohurive të tyre juridike, të njëjtit jo në secilin rast janë në gjendje që në mënyrë profesionale të mbrojnë të drejtat e tyre.

Ndihma profesionale në këto raste, është e domosdoshme. Jo çdoherë, qytetarët kanë mundësi të paguajnë avokat për të mbrojtur të drejtat e tyre. Për t’u ofruar ndihme juridike falas kësaj kategorie të qytetarëve, në Kosovë funksionon Agjencia për Ndihmë Juridike Falas. Deri më tani kjo Agjenci ka funksionuar si e pavarur dhe është mbikëqyrë nga Këshilli për Ndihmë Juridike Falas. Më 21 shtator 2022 ka hyrë në fuqi Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura. Ky ligj ka shuar Këshillin për Ndihmë Juridike Falas, me ç’rast kompetencat e këshillit i kanë kaluar Ministrisë së Drejtësisë. Kështu, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas tanimë është bërë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo çfarë qe e diskutueshme, është ruajtja e pavarësisë së Agjencisë nga një organ që është politik.

Përzgjedhja e drejtorit ekzekutiv, financimi, mbikëqyrja e agjencisë janë disa nga aspektet që e bëjnë shumë problematike këtë ligj, madje sipas njohëseve edhe jo kushtetues.

Përveç kësaj, në Ministrinë e Drejtësisë, bën pjesë edhe Avokatura Shtetërore. Për dallim nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas që përfaqëson qytetarët në rastet e tyre kundër shtetit apo rastet e tjera, Avokatura Shtetërore përfaqëson institucionet publike. Të dy këto institucione, tanimë i raportojnë Ministrit të Drejtësisë.

Edhe Mbi 1000 persona kanë kërkuar ndihmë juridike falas këtë vit Arbëri Mbi 1000 persona kanë kërkuar ndihmë juridike falas këtë vit

Anita Kalanderi, drejtoreshë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka shpjeguar se si ka funksionuar deri më tani kjo agjenci ku tregon edhe kriteret që një qytetar të marrë ndihmë juridike.

“Ndihma juridike falas është kategori kushtetuese, përfituesit e ndihmës juridike falas janë të gjitha qytetarët, të cilët për shkak të mungesës materiale i është mohuar qasja e barabartë në drejtësi. Për të përfituar ndihmën juridike falas ligji i parasheh tri kritere: është kriteri juridik, kriteri financiar dhe kriteri kualifikues”, ka thënë Kalanderi në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Kalanderi ka thënë se kryesisht përfituesit e ndihmës juridike falas janë të gjithë ata qytetarë që janë përfitues edhe të skemave sociale dhe se sipas saj rreth 70% të qytetarëve të Republikës së Kosovës i plotësojnë kriteret për të përfituar ndihmën juridike falas.

Ajo ka shtuar se mesatarisht ndihma juridike u ofrohet rreth 6 mijë rasteve, në 31 komuna të Republikës së Kosovës të fokusuara më shumë në lëminë civile dhe në lëmin administrative.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka qenë institucion i pavarur që për punën e vet i është përgjigjur Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa me ndryshimet në legjislacionin e ri tani jemi agjenci ekzekutive që për punë i përgjigjem Ministrisë së Drejtësisë”, ka shtuar ajo.

Krasniqi: Futja e ANJF-së nën MD-në e ka politizuar ndihmën juridike falas

Instituti i Kosovës për Drejtësi më 20 tetor 2022 ka publikuar analizën “Politizimi kundërkushtetues i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas”. Sipas kësaj analize, inkorporimi i kësaj agjencie në Ministrinë e Drejtësisë shkel të drejtat e njeriut dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Albina Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ligji i ri e ka politizuar sistemin e ndihmës juridike.

“Ligji në fjalë duke e synuar racionalizimin e institucioneve dhe duke e sistemuar Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e ka politizuar sistemin e ndihmës juridike falas në Kosovë. Duke nisur nga politikat e përgjithshme e deri tek vendimet e veçanta, do të vendosë Ministria e Drejtësisë, si institucion që udhëhiqet nga një i emëruar politik. Përfundimisht, tani mund të thuhet se mbi kërkesat e qytetarëve për ofrimin e ndihmës juridike falas do të vendosë një institucion politik”, është shprehur Krasniqi.

Sipas Krasniqit, inkorporimi i ANFJ në Ministrinë e Drejtësisë i ka fuzionuar palët ndërgjyqëse, ku si përfaqësuesi i paditësit ashtu edhe përfaqësuesi i të paditurit do t’i raportojnë personit të njëjtë, Ministrit të Drejtësisë.

“Kështu, paradoksalisht, për rastet e njëjta, Ministria e Drejtësisë do të duhet të kujdeset edhe për mbrojtjen e interesit të qytetarëve edhe për mbrojtën e interesit të institucioneve publike. Pra, edhe për interesin e paditësit edhe interesin e të paditurit”, ka thënë ajo.

Kështu, sipas saj në secilin rast, Ministria e Drejtësisë në të njëjtën kohë do ta ketë edhe një sukses edhe një dështim.

“Kjo situatë cenon rëndë pavarësinë dhe besueshmërinë e Avokaturës Shtetërore dhe veçanërisht ANJF. Potenciali për dirigjimin e politikave të caktuara nga ministri i Drejtësisë si i përzgjedhur politik për të dobësuar njërën palë në raport me palën tjetër është shumë i lartë. Nën këto rrethana, siguria e qytetarëve, të paktën në perceptimin e tyre, për të kërkuar ndihmë juridike nga një Agjenci e cila i raporton ministrit të Drejtësisë, për një rast kundër Avokaturës Shtetërore e cila i raporton personit të njëjtë, cenohet seriozisht”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi, duke shtuar se tanimë Agjencisë i mungon pavarësia objektive në punën e saj.

Rreth 60 për qind e rasteve të ANJF-së janë kundër vendimeve të institucioneve

Një numër shumë i lartë i rasteve që Agjencia përfaqëson është kundër organeve të ndryshme qeveritare, pra ndaj organeve apo institucioneve që Avokatura përfaqëson.

Anita Kalanderi, drejtoreshë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka thënë se sipas statistikave rreth 60 % të rasteve janë kundër institucioneve.

Që nga viti 2008 deri me sot, nga gjithsej 59,787 shërbime të ofruara, 35,411 prej tyre kanë të bëjnë me raste të natyrës administrative, kryesisht kundër vendimeve të nxjerra nga organet publike, përfshirë organet qeveritare. Përkatësisht, rreth 60% të totalit të shërbimeve të ndihmë juridike të ofruara nga Agjencia kanë të bëjnë me vendimet e nxjerra nga organet publike.

Sipas statistikave të ANJF, gjatë vitit 2021, kjo Agjenci ka ofruar ndihmë juridike falas në 1,961 raste të cilat kanë qenë të drejtuara kundër vendimeve të institucioneve publike, në vitin 2020 në 2,826 raste, derisa në vitin 2019 ka ofruar ndihmë juridike falas në 2,539 raste të kësaj natyre.

Pra, në këto raste, ANJF ka mbrojtur të drejtat e qytetarëve të cilët kanë pretenduar se u janë shkelur të drejtat nga institucionet publike.

Në lidhje më këto ndryshime ligjore, drejtoresha e Agjencisë Anita Kalanderi, thotë se iu janë drejtuar me shkresa institucioneve kompetente duke filluar nga presidenca, Zyra e Kryeministrit, deputetëve individualisht por që nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa thonë si Këshilli por edhe Agjencia nuk kanë qenë të njoftuar për këto ndryshime derisa është kaluar në Kuvend ky ligj.

“Qëndrimet të cilat i ka identifikuar Këshilli për Ndihmë Juridike Falas ka qenë pikërisht ajo çështje duke e pa se ekziston konflikt interesi në mes të zyrës, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Zyrës së Avokatit Shtetëror që të dyja funksionojmë në të njëjtin institucion dhe i përgjigjemi Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ajo.

Po ashtu, sipas saj tashmë edhe buxhetin e ndanë Ministria e Drejtësisë për dy institucionet. Ku me një procedurë mund të jenë edhe palë, njëra anë njëra palë paditëse dhe i paditur.

Edhe Gashi: Mbi 90% kënaqshmëria e qytetarëve për shërbimet e ANJF-së TEMPUS Gashi: Mbi 90% kënaqshmëria e qytetarëve për shërbimet e ANJF-së

“Duke qenë se jemi segment i drejtësisë dhe marrja e vendimeve tona duhet të jetë e pavarur ndaj çdo organi tjetër me qëllim që të sigurojmë edhe besueshmërinë edhe tek qytetarët edhe tek palët që i kemi përftues të ndihmës juridike falas”, është shprehur ajo.

Sipas saj, me këto veprime mund të cenohet besueshmëria e qytetarëve tek ky organ edhe se për këtë kanë reaguar.

Rrustolli: Vendosja e ANJF-së në kuadër të MD-së shkel të drejtat e njeriut

Berna Rrustolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se vendosja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, shkel të drejtat e njeriut dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ajo ka thënë se profesionistët ligjorë luajnë një rol të rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe situatat kur gjykata do të vendosë në mes të dy palëve ndërgjyqëse, të cilat janë pjesë e institucionit të njëjtë, domosdoshmërisht se do të ndikojë negativisht edhe në drejtshmërinë e proceseve gjyqësore.

“Kompetencat e ministrit të Drejtësisë për të vendosur si për organin që përfaqëson përfituesit e ndihmës juridike ashtu edhe për organin që përfaqëson institucionet publike, krijon potencial të madh për kurdisje të politikave dhe vendimeve të tjera. Edhe perceptimi se kjo mund të ndodhë është shumë i dëmshëm”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nën këtë rregullim të ri ligjor, qytetarët tanimë nuk kanë siguri të mjaftueshme juridike që për rastet e tyre që kanë nevojë për ndihmë juridike falas të kërkojnë ndihmë juridike nga ANFJ.

Shkaku se ANJF ka kaluar nën MD, qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë ndihmë juridike falas

Qytetarët janë ata të cilët mund të hezitojnë që të kërkojnë ndihmë juridike falas, në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) pasi e njëjta përmes ligjit ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në një situate hipotetike, atyre do iu duhet të shkojnë në Ministrinë e Drejtësisë, për të paraqitur një ankese ndaj po të njëjtit institucion.

“Në qëndrimet tona, rekomandimet tona edhe kundërshtimet tona vetëm i kemi paraqitur në reagimin publik dhe kjo ka qenë arsyeja një ndër rekomandimet tona duke shfaqur rrezikshmërinë që qytetarët mund të hezitojnë ndoshta me kërku ndihmë juridike falas”, ka thënë drejtoresha e ANJF-së, Anita Kalanderi.

Edhe sipas avokatit Hilmi Jashari, ekzistojnë standarde ndërkombëtare ku edhe në aspektin e dukshmërisë duhet të jenë të pavarura.

Kjo sipas tij, tek qytetarët mund të krijojë ndjenjën e pasigurisë dhe dyshimin në objektivitetin e autoritetit.

Avokati Zekaj: Kalimi i ANJF-së në MD paraqet pasiguri juridike edhe për gazetarët

Përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas, si kategori e veçantë e përfituesve të ndihmës juridike falas, janë edhe gazetarët, kameramanët, reporterët, dhe të gjithë ata që punojnë në media. Por, nëse gazetarët kërcënohen nga politikanë apo zyrtarë të tjerë shtetërorë, sa kanë siguri të njëjtit që të kërkojnë ndihmë juridike falas nga një Agjenci e cila ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga një i emëruar politik? Sipas avokatit Yll Zekaj, inkoroporimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është shqetësuese dhe paraqet pasiguri juridike për gazetarët dhe persona tjerë që punojnë në media.

“Kjo situatë tani me këtë ndryshim të sistemit juridik të themi edhe të inkorporimit të Agjencionit për Ndihmë Juridike në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është shqetësim edhe për vetë gazetarët. Pavarësisht që gazetarët edhe në të kaluarën nuk kanë pasur shumë siguri që të kërkojnë ndihmë juridike e veçmas tani kur një Agjencion i tillë hyn në kuadër të një domeni politik apo hyn në kuadër të Ekzekutivit, e në rast se gazetarët kanë padi apo veprime të ndryshme juridike nga vet zyrtarët publik si mund ata t’i drejtohen agjencionit e të marrin ndihmë juridike nga personat të cilët i kanë paditur faktikisht”, ka thënë ai.

Kështu, sipas tij, kjo paraqet një pasiguri juridike për gazetarët dhe një dekurajim për gazetarët për të kërkuar ndihmë juridike në këtë Agjenci.

Avokati Yll Zekaj ka thënë se nga praktika është parë që gazetarët mund të jenë të rrezikuar prej çdo personi, nga qytetarët, nga persona publikë e në forma të ndryshme, qoftë përmes padive civile që zyrtarët e lartë publikë bëjnë e që shumicën e rasteve janë “slap padia”, të cilat për qëllim kanë ta pengojnë punën e gazetarëve në ushtrimin e detyrave të tyre.

Avokati i Popullit po e analizon Ligjin për ANJF-në, i rekomandohet ta dërgojë në Kushtetuese

Anita Çavdarbasha-Korenica, zëvendëse e Avokatit të Popullit, ka thënë se janë në fazën e analizimit të Ligjit të ri, ku përmes të cilit Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ajo ka thënë se Avokati i Popullit vlerëson se është e rëndësisë së veçantë ofrimi i ndihmës juridike falas për palët në procedurë administrative dhe gjyqësore të cilët i plotësojnë kriteret përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

“Avokati i Popullit thekson se është shumë e rëndësishme që sistemi i ndihmës juridike falas të jetë i rregulluar në atë mënyrë që nuk reflekton ndërhyrje në ndonjë organ apo institucion tjetër dhe po ashtu konsideron që plotësimi dhe ndryshmi i ligjeve duhet të ketë qëllim avancimin e mëtutjeshëm të të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.

Edhe Ndihma juridike falas në gjashtë komuna Arbëri Ndihma juridike falas në gjashtë komuna

Ajo theksoi se Avokati i Popullit ka kompetencë për ta dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe kanë afat 6 muaj për ta bërë atë, por që janë duke e analizuar nëse përmes këtij ligji shkelen të drejtat e njeriut.

Ndryshe, Berna Rrustolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është shprehur se Avokati i Popullit duhet ta procedojë këtë Ligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.