Qëndrim Gashi, udhëheqës i Divizionit për Legjislacion në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), tha se mbi 90% është kënaqshmëria e qytetarëve për shërbimet e kësaj Agjencie.
“Ne i kemi edhe kutitë e ankesave që i kemi në secilën zyre rajonale dhe në ato bazuar në këto kënaqshmërinë që e masim, ka arritur që ajo të jetë mbi 90 për qind për shërbimet e Agjencisë, e nëse ka pasur ankesa natyrisht se ka pasur dhe ato janë drejtuar te mekanizmi që është në kuandër të Minsitrisë së Drejtësisë ku në rast refuzimi të kërkesës për ndihmë, vlerësohet vendimi”, tha Gashi.
Ai në emisionin "Tempus" në KTV, tha po ashtu se kanë hartuar edhe manuale të ndryshme, në mënyrë që të rritet cilësia e ofrimit të ndihmës jurifike falas.
Zyrtari i ANJF-së tha se përgjatë vitit 2026 planfikohet të vendosen iPad për të matjen e kënaqshmërisë së shërbimeve që agjencia i jep.
“Nga kutitë e ankesave ka dalë 90 për qind kënaqshmëria por se në vazhdimësi punojmë që të rrisim shërbimet tona dhe se gjatë këtij viti planifikojmë të bëjmë digjitalizimin e matjes së kënaqshmërisë së qytetarëve përmes lidhjes me databazën dhhe me iPad-ët që pritet t’i vendosim në zyrat tona”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi
Breznica: Për ndihmën juridike falas nga RrGK dhe IKD përfituesit janë gjithmonë të kënaqur
Besarta Breznica, zyrtare e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se sa i përket shërbimeve që i ofron RrGK dhe Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjithmonë kanë qenë të kënaqur përfituesit.
Por, sipas saj, e njëjta nuk ndodhë edhe me shërbimet e ofruara nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
“Sa i përket shërbimeve që i ofron Rrjeti i Grave të Kosovës edhe IKD-ja, gjithmonë kanë qenë të kënaqur përfituesit tonë. Kurse, sa i përket Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, jo gjithmonë janë të kënaqur me cilësinë e shërbimeve që ata i marrin”, tha Breznica.
Breznica theksoi se hulumtimi i tyre tregon që zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nuk janë të njohur as me Strategjinë Ndërkombëtare kundër Dhunës me Baza Gjinore e as me përgjegjësitë e tyre sa i përket procedurave standarde të veprimit.
Sipas hulumtimit të RrGK-së, Breznica tha se theksohet që ANJF në rastet e dhunës në baza gjinore apo dhunës në familje, ka qenë më shumë e prirur që të përfaqësojë viktimat në kontest civil, pra në rastet e divorcit dhe besimit të fëmijëve, mirëpo jo në atë penal, pasi që arsyetimi i Agjencisë ka qenë se në procedurë penale viktimat i mbron prokurori apo mbrojtësi i viktimave.
Ndërsa, Arrita Rezniqi nga IKD, tha se përfaqësimi i palëve dhe angazhimi ndaj rasteve të tyre duhet të jetë i njëjtë në çdo rast pasi që është shumë e rëndësishme që palët të kenë përfaqësimin e barabartë dhe të ndihet barazia e palëve në secilin rast dhe situatë ku ata përfaqësohen, pa marrë parasysh mundësitë financiare që i kanë. /BetimipërDrejtësi
Gashi: Me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas u shtua gama e përfituesve, buxheti pothuajse i njëjtë
Qëndrim Gashi, udhëheqës i Divizionit për Legjislacion në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas, u shtua gama e përfituesve derisa buxheti për Agjencinë mbeti pothuajse i njëjtë.
“Duke ditur se është shtuar gama e përfituesve me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas, ndërsa në fakt buxheti i Agjencisë ka mbetur pothuajse i njëjti, kjo nënkupton se buxheti i Agjencisë është dashur të rritet dhe është bërë në përputhje me ndryshimet ligjore”, tha Gashi.
Gashi shtoi se shpreson që në të ardhme të rritet buxhetit, duke u rritur edhe cilësia e shërbimeve të Agjencisë.
“Shpresoj se në të ardhmen ky buxhet do të ndryshojë dhe do të bëhet edhe ngritja e kapaciteteve të Agjencisë duke ofruar ndihmë më cilësore”, shtoi Gashi. /BetimipërDrejtësi
Rezniqi: Ka nevojë për shtrirje të përgjithshme të ndihmës juridike falas në gjithë Kosovën dhe rritje të cilësisë së saj
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ende ka nevojë për shtrirje të përgjithshme të ndihmës juridike falas në të gjithë Kosovën, po ashtu për rritje të kapaciteteve dhe përkrahje financiare më të madhe për Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
“E vërtetë që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ndër vite ka hapur zyra rajonale në lokacione të ndryshme, megjithatë ka ende nevojë për shtrirje të përgjithshme të ndihmës juridike falas në gjithë Kosovën”, tha Rezniqi.
Ajo tha se ka nevojë edhe për rritjen e cilësisë në rregullimin e mekanizmave të cilët e bëjnë mbikëqyrjen e cilësisë, e në të njëjtën kohë edhe mbajtjen e llogaridhënies në këtë aspekt.
Rezniqi theksoi se një ndër problematikat e Agjencisë është mënyra se si është e strukturuar dhe sistematizuar puna e Agjencisë e cila ka të bëjë me ndryshimet e fundit me Ligjin për Racionalizimin e Vijave Llogaridhënëse, ku Agjenica për Ndihmë Juridike Falas nga një agjenci e pavaruar ka kaluar në një agjenci brenda Ministrisë.
“Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm të cilin e kemi ngritur edhe ne si shoqëri civile, por që ngritet si problematikë edhe nga vetë stafi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e në të njëjtën kohë edhe nga qytetarët”, ka thënë Rezniqi në emisionin “Tempus” në KTV.
Rezniqi tha se ka nevojë që ky mekanizëm të jetë i pavarur, funksional dhe i plotë, siç ka qenë - si një institucion i pavarur. /BetimipërDrejtësi
Breznica nga RrGK: Dënime minimale për dhunën në familje, ka të tilla me 50 euro gjobë
Besarta Breznica, zyrtare e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), tha se dënimet janë minimale në rastet e dhunës në familje, duke theksuar se ka dënime me 50 euro gjobë.
E ftuar në “Tempus“ në KTV, Breznica tha se drejtësia që iu ofrohet viktimave të dhunës në baza gjinore është e mangët.
“Gjyqtarët e dënojnë minimalisht dhunën në familje dhe baza gjinore. IKD ka monitorime të shumta njësoj siç ka edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ne shohim se për dhunë në familje persona të ndryshëm janë dënuar me 50 euro gjobë ose nuk janë dënuar fare ose kanë marrë edhe dënime me kusht”, tha Breznica.
Ajo theksoi se ka pasur raste kur viktimat që kishin urdhër mbrojtës, janë vrarë.
“Dënimet e tilla veçse ju hapin rrugë dhunuesve dhe në anën tjetër viktimat i shohim si të pashpresë. Mirëpo, prapë se prapë në anën tjetër, krejt viktimat që na dëgjojnë në këto momente, ju themi se nuk janë vetë, kanë mjaftueshëm organizata e persona të tjerë që munden të këshillojnë e ndihmojnë në të gjitha proceset që duhet kaluar deri te arritja e drejtësisë”, shtoi Breznica. /BetimipërDrejtësi
Zekaj: Gazetarët hezitojnë të pranojnë ndihmë juridike falas sepse janë subjekt i persekutimit nga akterët e shtetit
Yll Zekaj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se arsyeja pse gazetarët hezitojnë të pranojnë ndihmë jurdike falas është sepse janë subjekt i persekutimit nga akterët e shtetit.
“Gazetarët janë subjekt i persekutimit jurdik për shkak të cenimit të grupeve të interesit, personave me pushtet e të cilët përmes mekanizmave ligjorë e gjejnë mundësinë që të sulmojnë gazetarët përmes padive SLAPP, me qëllim që të krijojnë frikë tek gazetarë, t’ua marrin kohën e tyre, edhe pse në fund të fundit dihet që nuk janë diçka që vërtetohen si të tilla”, tha Zekaj në “Tempus“.
Zekaj tha se kjo ndikon që gazetarët të vetëcensurohen në punën e tyre.
Ai shtoi se gjatë muajve të ardhshëm do të kemi një gjykim, ku një doktor i cili ka qenë në funksione menaxheriale në QKUK, ka bërë një padi ndaj një gazetari, e ku kërkon 250 mijë euro kompesim të dëmit, kinse për shpifje për raportimin e disa aferave të publikuara nga gazetari.
Lidhur me këtë, Zekaj shtoi se kjo është e mjaftueshme për të marrë kohën e gazetarit, për ta kërcënuar e zvarritur në procedura gjyqësore që marrin vite të tëra.
Avokati tha se është një gjë e mirë që gazetarët që nga viti 2022 janë përfshirë në kategorinë e ndihmës juridike me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Jurdike Falas.
“Gazetarët hezitojnë t’i drejtohen këtij Agjencioni për të marrë ndihmë juridike falas për shkak se shpeshherë gazetarët janë subjekt i persekutimit nga vetë akterët e shtetit, nga personat me fuqi politike, e që pastaj nuk mund të shkojnë tek ata për të kërkuar ndihmën juridike e cila ju takon”, tha Zekaj. /BetimipërDrejtësi
Rezniqi: Ndërgjegjësimi qytetar është i rëndësishëm, QNJ-IKD lanson kampanja për këtë qëllim
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ndërgjegjësimi qytetar është i rëndësishëm, duke shtuar se Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së lanson kampanja në mënyrë që të vetëdijësohen qytetarët.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme të kemi mekanizma të mirëfilltë të ofrimit të ndihmës juridike falas.
“Duhet të ketë mjaftueshëm edhe informata se ku të drejtohet për të marrë ndihmë juridike falas sepse jo rrallëherë shohim situata kur qytetarët mund të humbin edhe afatin procedural për ta ndjekur një mjet juridik në rastin e tyre, thjesht se ju duket e kushtueshme dhe nuk kanë informatë se këtë mund ta realizojnë përmes ndihmës juridike falas. Prandaj, në këtë aspekt është i rëndësishëm ndërgjegjësimi qytetar dhe ajo që shohim dhe që e kemi parë edhe në praktikë, vjen si rezultat edhe i raporteve ndërkombëtare siç janë raportet e Komisionit Evropian që e kanë identifikuar qartazi se çështja e ndihmës juridike falas është e pamjaftueshëm pikërisht për shkak të mungesë së ndërgjegjësimit”, tha Rezniqi.
Hulumtuesja theksoi se si IKD mundohet të lansojë kampanja vetdijësuese.
“Ne në qendrën tonë për ndihmë juridike falas në IKD mundohemi që sa më shpesh të lansohen kampanja për të vetëdijësuar të gjithë qytetarët për mundësitë që kanë përmes ndihmës juridike falas dhe këtë nuk e bëjmë vetëm në aspekt të punës tonë, por edhe të bashkëpunimit me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas”, shtoi Rezniqi. /BetimipërDrejtësi
Breznica: Institucionet tona nuk janë mjaftueshëm në mbrojtje të viktimave
Besarta Breznica, zyrtare e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), tha se institucionet tona nuk po bëjnë mjaftueshëm në mbrojtje të viktimave.
“Viktimat e rasteve të dhunës në baza gjinore nuk ndihen në institucionet tona përderisa nuk kanë një përfaqësues apo monitorues nga organizatat e shoqërisë civile. Këtë më vjen keq shumë që e them, mirëpo institucionet tona nuk janë mjaftueshëm në besim dhe mbrojtje të viktimave tona”, tha Breznica.
Më tutje, Breznica shtoi se në raportin e RrGK-së të publikuar vitin e kaluar, rezulton se zyrtarët e Agjencisë nuk kanë shumë njohuri për format e dhunës me të cilat ballafaqohen gratë.
“Rrjeti i Grave të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar ka publikuar raportin e fundit “Zero tolerancë” që është monitorim i institucioneve të përgjigjes ndaj dhunës në baza gjinore. Padyshim që edhe Agjencia për Ndihmë Juridike ka qenë e intervistuar gjatë këtij hulumtimi dhe fatkeqësisht shumica e zyrtarëve të Agjencisë kanë njohuri vetëm për dhunën në familje, mirëpo jo për forma të tjera të dhunës që gratë ballafaqohen”, shtoi Breznica. /BetimipërDrejtësi
Gashi nga ANJF: Vitin e kaluar kemi ofruar ndihmë juridike falas për 8 mijë e 49 qytetarë
Qëndrim Gashi, udhëheqës i Divizionit për Legjislacion në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), tha se vitin e kaluar kjo Agjenci ofroi ndihmë juridike falas për 8 mijë e 49 qytetarë.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Gashi tha se sistemi i ndihmës juridike falas në Kosovë, është funksional dhe operativ, duke pasur një bazë të mirë ligjore.
“Vetëm vitin e kaluar në vitin 2024 kemi ofruar ndihmë juridike falas për 8 mijë e 49 qytetarë. Nëse e vendosim numrin e OJQ-ve që kanë ofruar ndihmë juridike falas që janë në partneritet me Agjencinë, ky numër arrin diku 12 mijë e 800 raste që u është ofruar ndihmë juridike falas në Republikën e Kosovës”, tha Gashi.
Ai përmendi se ANJF-ja nga institucion i pavarur ka kaluar në agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas aktualisht ofrohet përmes shtatë zyrave rajonale që ofrojnë ndihmë juridike falas në shtatë komunat më të mëdha në Republikën e Kosovës. Si dhe përmes 23 zyrave mobile për ndihmë juridike falas. Pra, kemi shtrirje në pothuajse tërë territorin e Republikës së Kosovës me 30 zyra. Po ashtu, me qëllim që të jemi sa më afër qytetarit, kemi funksionalizuar edhe zyrën mobile lëvizëse që është një kombibus sikur zyrë, e cila ofron ndihmë juridike falas në vendet ku nuk kemi zyre, apo për grupe të caktuara dhe për çështje të caktuara”, tha Gashi.
Gashi theksoi se sistemi i ndihmës juridike falas ofrohet edhe nga organizatat e shoqërisë civile.
“Po ashtu, edhe klinikat mobile në kuadër të fakulteteve juridike në Republikën e Kosovës. Po ashtu, edhe ndihma juridike falas ex-officio penale që ofrohet nga Policia, Prokuroria dhe Gjykatat”, u shpreh Gashi.
Ai tha se ndihma juridike ofrohet nëpërmjet informatave dhe këshillimit juridik, nëpërmjet përpilimit të parashtresave, asistencës teknike për kompletimin e lëndës dhe përfaqësimit ligjor në rastet kur ka nevojë për përfaqësim. /BetimipërDrejtësi