Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe borës, në ditët në vijim pritet normalizim i gjendjes në teren.
Sipas IHK-së, tendencat e niveleve janë në rënie në të gjithë lumenjtë e vendit si pasojë e ndërprerjes së reshjeve.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pa ndërpre, gjatë këtyre ditëve, e ka përcjellë me vëmendje të shtuar, situatën hidrometeorologjike në Kosovë sidomos me reshjet, nivelet e ujërave nëpër lumenjtë dhe vërshimet dhe ka përgatitur paralajmërime dhe njoftime të cilat i ka publikuar në ueb faqen e sajë: http://ihmk-rks.net si dhe i ka informuar institucionet relevante shtetërore, mediat dhe opinionin e gjerë. Informacionet janë marrë në kohë reale nga stacionet automatike meteorologjike (10) dhe hidrologjike (10), të cilat kanë një mbulueshmëri të mirë të territorit të vendit. Theksojmë që IHMK, pos këtyre stacioneve automatike/online, i posedon edhe një numër të stacioneve meteorologjike dhe atyre të reshjeve të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën, po ashtu i posedon edhe 20 stacione automatike hidrologjike nëpër lumeje të ndryshëm të vendit”, thuhet në njoftim.
IHK bënë të ditur se edhe pse gjatë 24 orëve të fundit, në disa prej lumenjve vërehet që ka ngritje kjo ndodhë shkaku i kullimit që ndodh nga pellgu dhe karakteri i tyre fushorë, mirëpo, siç thuhet në njoftim edhe tek këta lumenj tendencat janë në rënie dhe se piku i niveleve dhe prurjeve të tyre tani ka kaluar.