Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin e themelimit, Kurti e quan Institut të dritës

Të hënën u shënua 70-vjetori i themelimit të Institutit Albanologjik në Kosovë.

Në këtë organizim morën pjesë kryeministri Albin Kurti, drejtori i Institutit, Hysen Matoshi, akademiku Rexhep Qosja e profesorë. Duke kujtuar themeluesit e Institutit Albanologjik, më 29 korrik 1953, Kurti u shpreh se marrja me të kaluarën do të thotë të hedhës dritë në të tashmen dhe në të ardhmen.

“Veprimtaria jetëshkurtër e Institutit, në fazën e parë, hapja në vitin 1953 dhe mbyllja në dhjetor të 1955, ishte tregues i qartë i ballafaqimeve të pandalshme të shqiptarëve me politikën shoviniste serbomadhe të kohës, në krye të së cilës ishte ministri i atëhershëm, i Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, që përpiqej me çdo kusht ta bënte sa më të rëndë jetën e shqiptarëve. Kjo politikë që synonte të kthente në ferr jetën e tyre, e bënte këtë në mënyrë që të detyronte sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga trojet e tyre... Sidoqoftë, të merresh me të kaluarën, do të thotë të hedhësh dritë në të tashmen dhe në të ardhmen. Nga ky vështrim Instituti Albanologjik paraqet Institutin e dritës, sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi.”, tha Kurti.

Ai theksoi se data kur është hapur Instituti për herë të parë, 29 korrik 1953, është saktësisht në 40-vjetorin e Konferencës së Londrës.

“Pra, thua se është treguar, që pavarësisht padrejtësisë së copëtimit të shqiptarëve, ka diçka që është e pandalshme dhe që jo vetëm vazhdon, por edhe bëhet institucion”, u shpreh ai.

“Instituti Albanologjik, e ka pësuar politikën e kohës, por Instituti Albanologjik e ka kombëtarizuar edhe politikën edhe kohën, sidomos sot, kur ballafaqimi me gjuhë e me vlera të huaja kulturore është aq i madh e aq sfidues dhe kur kemi një rikthim të revizionizmit në histori dhe të gjeopolitikës në glob, Instituti Albanologjik pa dyshim që do të vazhdojë të jetë në qendër të zhvillimeve shoqërore, kulturore, linguistike e pse jo edhe politike të shtetit tonë e të kombit tonë”, tha Kurti.