Në hapjen solemne të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, “Java e Albanologjisë” është konsideruar edhe si dritare e cila teksa shpalos studimet e fundit në albanologji, shndërrohet në treditësh dëshmish për veçantitë e kulturës shqiptare. Por jehona e një ngjarjeje si kjo shtrihet përtej kohës sa zgjat. Në hapje ka marrë pjesë edhe kryeministri Kurti, i cili ka thënë se “sot dija albanologjike ushqehet nga institucionet kërkimore shkencore shqiptare, ndërsa më parë ato të ish-Jugosllavisë kanë ushqyer tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve”
Për tri ditë të “Javës së Albanologjisë”, afro 100 studiues nga vendi dhe rajoni e bëjnë Prishtinën qendër të studimeve albanologjike. Pos si konferencë shkencore, ngjarja është konsideruar si platformë ku diskutohen problemet e kulturës shpirtërore e materiale. Ndër të tjera, në hapjen solemne të saj të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ajo është konsideruar edhe si dritare e cila teksa shpalos studimet e fundit në albanologji, shndërrohet në treditësh dëshmish për veçantitë e kulturës shqiptare. Por jehona e një ngjarjeje si kjo shtrihet përtej kohës sa zgjat.
Në pesë sesione që përfshijnë gjuhësinë, letërsinë, historinë, etnologjinë dhe folkloristikën, konferenca shkencore synon të sjellë rezultate të reja në këto disiplina albanologjike. Ky është edicioni i 15-të i “Javës...”
Ceremonia e hapjes i ka paraprirë maratonës së prezantimit të punimeve shkencore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, historiani Lulzim Lajçi, ka thënë se konferenca shkencore është rast i mirë për t’u marrë me problemet e kulturës shpirtërore dhe materiale shqiptare.
“Pas një distance kohore vlerat e këtyre punimeve shkencore do të jenë akoma më të mëdha. Po ashtu, do të konstatoj me kënaqësi të veçantë se kjo konference shkencore është njëherësh një rast i mirë që të takohemi të gjithë ne që merremi me problemet e kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit tonë, që të shihemi e të shkëmbejmë mendime për punën tonë”, ka thënë Lajçi.
Materialet që prezantohen në “Javën e Albanologjisë” do të botohen në revistën e Institutit, dhe sipas Lajçit rezultatet jetojnë më gjatë sesa ditët e ngjarjes. Ato i konsideron rëndësi parësore.
“Rëndësia parësore e kësaj konference pa dyshim janë rezultatet shkencore. Me kumtesat që do te lexohen do të trajtohen çështje nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia shqiptare, si dhe gjatë diskutimeve do të paraqiten shumë mendime të vlefshme për studimet shqiptare në përgjithësi, si edhe për vizionin për ardhmërinë që do ta ketë albanologjia në përgjithësi në të ardhmen”, ka thënë historiani Lajçi, i cili në kuadër të Sesionit të Historisë do të prezantojë kumtesën me temë “Trepça në kohën antike”.
Ceremonia në njërën prej sallave të Institutit Albanologjik nisi me gjysmë ore vonesë në pritje të kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka thënë se sot dija albanologjike ushqehet nga institucionet kërkimore shkencore shqiptare, ndërsa më parë ato të ish-Jugosllavisë kanë ushqyer tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve.
“Ne jemi dëshmitarë se akademitë dhe institutet shkencore në ish-Jugosllavi përpunuan tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve. Prandaj katedrave të gjuhës, etnologjisë dhe historisë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë iu desh që me gjuhën e shkencës të argumentonin se shqiptarët nuk ishin të vonshëm në Ballkan, se populli shqiptar kishte historinë e tij krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe se kultura shqiptare ishte po aq e veçantë sa edhe kulturat e popujve të tjerë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Programi i edicionit të 15-të të ngjarjes ndërtohet në pesë tema bosht për fushat përkatëse:
“Drejtshkrimi i shqipes 60 vjet pas ortografisë së Prishtinës” për gjuhësi, “Praktika të reja kulturore në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19” për etnologji, “Drama shqipe 1945-1990” për letërsinë e “Xehetaria dhe aktivitetet minierare në Kosovë - refleksione historike” për historinë. Sivjet folkloristikës i është shtuar dhe etnomuzikologjia si dy fusha në një sesion. Tema bosht e tij është “Trashëgimia gojore e muzikore në arkiva: tekstet, zërat dhe tingujt e arkivuar para mundësive të reja teknologjike”.
Duke iu referuar temës bosht të etnologjisë – “Praktika të reja kulturore në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19” – Kurti ka thënë se albanologjia u përgjigjet sfidave të kohës duke përmendur ndryshimet që kanë pësuar ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë. Sipas tij, kërkimi shkencor për gjuhën, letërsinë, etnologjinë, historinë e folklorin zhvillohet sipas vokacionit të studiuesve dhe teorive e argumenteve të shkencës. Ka veçuar edhe njërën prej temave.
“Më duket me interes aktual edhe interesimi për historikun e xehetarisë në Kosovë. Në kohën kur ne po marrim hapa institucionalë për rivitalizimin e këtij sektori ekonomik kaq të rëndësishëm për rritje dhe aq strategjik për të ardhmen”, ka thënë ai.
Kryeministri e ka shfrytëzuar foltoren e IAP-it për të listuar kontributet që sipas tij stimulojnë orientimin drejt albanologjisë.
“Kemi kontribuuar në vazhdimësi në mbështetje të saj. Muajin e kaluar kemi përkrahur organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, i cili mirëpriti studiues e albanologë nga 14 vende të botës. Me qëllim të stimulimit të të rinjve për t’u orientuar drejt albanologjisë, para dy muajve e morëm edhe vendimin për të ndarë bursa bachelor dhe master për studentët që ndjekin programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe”, ka thënë ai.
Sekretari shkencor i IAP-it, Adil Olluri, ka njoftuar themelimin e programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore me emrin “Leksione albanologjike”.
“Këtë vit e kemi themeluar programin e ligjëratave dhe takimeve shkencore me emrin ‘Leksione albanologjike’ në të cilin parashohim të kemi ligjërata publike të studiuesve të tanishëm të Institutit tonë, profesorëve dhe studiuesve doajenë, studiuesve të huaj të cilët me vullnet dhe përkushtim të madh merren me historinë dhe kulturën e shqiptarëve. Është një program që do të na bëjë më aktivë dhe më komunikues me dashamirët dhe kureshtarët brenda vendit, si dhe me njohësit dhe vullnetmirët jashtë vendit”, ka thënë Olluri, njëherësh anëtar i Këshillit Organizues të Javës.
Derisa ka ftuar publikun të shoqërohet me veprat dhe kërkimet akademike të studiuesve që marrin pjesë në “Javën e Albanologjisë”, ka thënë se një gjë e tillë “nënkupton shoqërim me kërkimet, hulumtimet e gjata dhe mendimet e studiuesve të shquar dhe njohësve të fushave të veçanta të dijeve albanologjike rreth shqiptarëve”.
Sesioni i parë në ditën e parë të “Javës...” ka qenë ai i Gjuhësisë në temën bosht “Drejtshkrimi i shqipes 60 vjet pas ortografisë së Prishtinës”. Në seancën e parë drejtuar prej Emil Lafes, Berton Sulejmani, Naim Berishës kanë referuar dhjetë studiues, në mesin e të cilëve Xhevat Lloshi në temën “Konsulta e Prishtinës mes dy gjysmëshekujve”, Emil Lafe me “Shqyrtime rreth përjashtimeve nga rregullat në ‘Drejtshkrimin e gjuhës shqipe’” e Asllan Hamiti në temën “Përditësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, përderisa Berton Sulejmani ka shpalosur kumtesën “Norma gjuhësore dhe roli i gazetës ‘Flaka e Vllazërimit’ pas ortografisë së Prishtinës (1964)”. Në seancën e dytë drejtuar prej Xhevat Lloshit, Vjosa Osmanii e Asllan Hamiti, Begzad Baliu ka sjellë “Diskutimet mbi drejtshkrimet e gjuhës shqipe gjatë shekullit XX” e Vjosa Osmani- “Pikëpamje për përzgjedhjen e korpusit dhe planifikimit të shqipes në Kosovë (1952-1968)”, përderisa Shkëlqim Millaku ka shpalosur “Pikëpamjet e Selman Rizës për shqipen”. “Çështje problemore të drejtshkrimit të shqipes sot” ka trajtuar Shpresa Ismajli, e Faton Krasniqi është marrë me “Mosrespektimin e pjesëzës mohuese s’ në disa shkrime publike e mediale”.
Konferenca shkencore shpalos punime shkencore deri të mërkurën pasdite, kur mbyll punimet.